Guardiola për Yamal: Le të ndjekë rrugën e tij pa presione. Krahasimi me Messin? Flasim pas 15 vitesh… - Gazeta Express
string(98) "guardiola-per-yamal-le-te-ndjeke-rrugen-e-tij-pa-presione-krahasimi-me-messin-flasim-pas-15-vitesh"

Futboll

Gazeta Express

28/07/2025 12:19

Guardiola për Yamal: Le të ndjekë rrugën e tij pa presione. Krahasimi me Messin? Flasim pas 15 vitesh…

Futboll

Gazeta Express

28/07/2025 12:19

Në një deklaratë të ngrohtë dhe domethënëse, Pep Guardiola, një nga mendjet më brilante të futbollit modern, ka folur për talentin magjepsës të Lamine Yamal, ylli i ri i Barcelonës dhe një nga emrat më të përfolur në futbollin europian

Trajneri i Manchester City ka bërë thirrje për durim, respekt dhe qetësi ndaj një futbollisti që, ndonëse ende shumë i ri, ka nisur të marrë krahasime me vetë Leo Messin, legjendën më të madhe të historisë së klubit katalanas.

“Duhet ta lëmë Lamine Yamal të ndjekë rrugën e tij. Kur të ketë luajtur për 15 vite, atëherë mund të flasim nëse është më i mirë se Messi apo jo”, deklaroi Guardiola me qartësi, duke theksuar nevojën që talenti të mos “digjet” nga krahasimet e parakohshme.

Sidoqoftë, pikërisht këto krahasime, për vetë Pep, janë tregues i një vlerësimi të jashtëzakonshëm: “Fakti që ai krahasohet me Messin është, në vetvete, diçka gjigante. Është njësoj si të krahasosh një piktor me Van Gogh”.

Fjalë që nuk vijnë nga askush tjetër, por nga trajneri që i dha formë Messit në vitet më të ndritura të karrierës së tij në Barcelonë. Guardiola e njeh më mirë se kushdo se çfarë do të thotë të kesh në duar një gjeni të lindur dhe për këtë arsye vlerësimi i tij për Yamal nuk është i rastësishëm. Njëherazi, ai kujton se edhe talenti ka nevojë për kohë, për maturim dhe ambient që e ndihmon të lulëzojë pa presione shkatërruese.

Në moshën vetëm 18-vjeçare (sapo i ka mbushur), Yamal ka lënë tashmë gjurmët e tij në futbollin europian, duke shënuar dhe asistuar në nivele të larta dhe dhuruar magji që të kujtojnë kohët e arta të një tjetër fëmije” të “La Masia”.

Sidoqoftë, rruga është e gjatë dhe, siç thotë Guardiola, “le të ndjekë udhën e vet, mos t’ia ngarkojmë barrën e legjendës përpara kohe.

Këshillë e mençur nga një mjeshtër i vërtetë për një yll futbolli në ngritje. Koha do të tregojë, por ndërkohë, bota e futbollit po shijon çdo penelatë të këtij Van Gogh-u të ri të fushës së blertë.