E ardhmja e Pep Guardiolas te Manchester City mbetet një enigmë e vërtetë.
Trajneri katalunas, i cili ka kontratë deri në vitin 2027, nuk e ka marrë ende një vendim përfundimtar për vazhdimësinë e tij dhe pritet që gjithçka të qartësohet vetëm në muajin maj.
Situata mbetet e hapur: nga njëra anë ekziston mundësia që Guardiola ta vazhdojë projektin e tij te City, ndërsa nga ana tjetër nuk përjashtohet as një ndarje e mundshme në fund të sezonit, duke e mbyllur një cikël të gjatë dhe shumë të suksesshëm në klub, raporton “SportBILD”, përcjell “Gazeta Express”.
Ndërkohë, drejtuesit e klubit anglez nuk qëndrojnë duarkryq dhe po vlerësojnë alternativa të mundshme për të ardhmen.
Pas emrave që kanë qarkulluar më herët, në listë janë shtuar edhe dy kandidatë të rinj për ta marrë drejtimin e skuadrës në rast largimi të Guardiolës.
Në këtë fazë, gjithçka mbetet në pritje të vendimit final të trajnerit spanjoll, i cili do të jetë vendimtar për hapat e ardhshëm të Manchester Cityt.
Ndërkohë, sipas mediumit gjerman, janë dy opsione që mund ta zëvendësojnë ish-trajnerin e Barcelonës në “Etihad Stadium”.
Trajneri aktual i Bayernit, Vincent Kompany, dikur kapiten i “Citizens” dhe selektori i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, janë dy më të preferuarit e sheikëve të Cityt si pasues eventualë të Guardiolës.
Por, nuk lihen anash as emrat e Cesc Fabregas, Xabi Alonso e Enzo Maresca.
E sigurt është vetëm një gjë: maji do të jetë muaji kyç për të ardhmen e stolit të “Citizens”. /Gazeta Express