Grupi mediatik Mediahuis pezullon ish-drejtuesin e mediave në Irlandë - pas përdorimit të gabuar të AI në artikuj - Gazeta Express
string(111) "grupi-mediatik-mediahuis-pezullon-ish-drejtuesin-e-mediave-ne-irlande-pas-perdorimit-te-gabuar-te-ai-ne-artikuj"

Lajme

Gazeta Express

25/03/2026 13:02

Grupi mediatik Mediahuis pezullon ish-drejtuesin e mediave në Irlandë – pas përdorimit të gabuar të AI në artikuj

Lajme

Gazeta Express

25/03/2026 13:02

Grupi mediatik Mediahuis ka pezulluar përkohësisht ish-drejtuesin e degës së tij në Irlandë, Peter Vandermeersch, pasi ai pranoi se kishte përdorur inteligjencën artificiale për të krijuar citime të pasakta në shkrimet e tij.

Vandermeersch, ka qenë drejtor ekzekutiv i Mediahuis Ireland nga viti 2022 deri vitin e kaluar. Mediahuis është pronare e mediave të njohura si Irish Independent, Sunday Independent dhe një sërë titujsh të tjerë kombëtarë dhe rajonalë.

Rasti doli në pah pas një investigimi nga media holandeze NRC, ku më herët Vandermeersch kishte shërbyer për nëntë vite si kryeredaktor. Sipas NRC, 15 nga 53 postimet e tij në platformën Substack përmbanin citime që nuk mund të gjendeshin në burimet e deklaruara, njoftojnë mediat e huaja

Madje, shtatë persona të cituar konfirmuan se nuk i kishin bërë deklaratat që u atribuoheshin atyre.

Në një deklaratë publike me titull “Po pranoj gabimin tim”, Vandermeersch tha se kishte përdorur modele të inteligjencës artificiale si ChatGPT, Perplexity dhe Google Notebook për të përmbledhur raporte, duke u mbështetur më pas në këto përmbledhje.

“Edhe unë – me gjithë përvojën time – rashë në kurthin e ‘halucinacioneve’. Duke vepruar kështu, u vendosa fjalë njerëzve në gojë, kur duhej t’i paraqisja si parafraza. Kjo nuk ishte vetëm pakujdesi – ishte gabim,” tha ai.

Ai shtoi se është veçanërisht e dhimbshme që bëri pikërisht gabimin për të cilin kishte paralajmëruar shpesh kolegët e tij, duke theksuar se modelet gjuhësore krijojnë citime shumë bindëse që tundojnë gazetarët t’i përdorin pa verifikim.

Vandermeersch pranoi gjithashtu një gabim të dytë – moskorrigjimin në kohë të citimeve të pasakta, duke lënë që kjo të bëhej nga NRC.

Pas kësaj, ai dhe Mediahuis ranë dakord për pezullimin e përkohshëm të tij nga detyra.

Drejtori ekzekutiv i Mediahuis, Gert Ysebaert, reagoi duke theksuar se rasti është i papranueshëm.

“Kjo nuk duhej të kishte ndodhur. Në Mediahuis kemi rregulla strikte për përdorimin e inteligjencës artificiale, ku kujdesi, mbikëqyrja njerëzore dhe transparenca janë thelbësore,” tha ai.

Sipas Ysebaert, mosrespektimi i këtyre parimeve bie ndesh me standardet e grupit dhe angazhimin e tij për gazetari të besueshme.

Advertisement
Advertisement
Advertisement