Një grup gjerman për eutanazi ka thënë se klientët e tij duhet të jetë të vaksinuar kundër Covid-19 para se t’i nënshtrohen procedurës për vetëvrasje të asistuar.
Grupi gjerman për eutanazi, “Verein Sterbehilfe” ka njoftuar se klientët e mundshëm duhet ta respektojnë rregullën e ashtuquajtur 2G – sipas së cilës lokalet mund të vendosin që t’ua ndalojnë hyrjen personave të pavaksinuar ose atyre që e kanë kaluar virusin.
Klinika tha se eutanazia dhe ekzaminimet përgatitore kërkojnë “afërsi njerëzore”, që do të thotë se sipas ligjit gjerman, të gjithë personat e përfshirë duhet ta zbatojnë rregullën 2G, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.
Grupi shpjegoi se vendimi u mbështet në “detyrën e vështirë të baraspeshimit të mbrojtjes së anëtarëve, punëtorëve e mjekëve tanë me organizimin praktik të jetës sonë t përditshme në shoqatë”.
Ndryshe, rreth 68 për qind e popullsisë së Gjermanisë është vaksinuar plotësisht kundër Covid-19 dhe rreth 10 për qind e gjermanëve e kanë marrë edhe dozën përforcuese, por zyrtarët valën e re të infeksioneve e kanë quajtur “pandemi e të pavaksinuarve”.
Të martën, Gjermania regjistroi mbi 45.000 raste të reja me Covid-19 dhe 388 të vdekur për 24 orë, por shifra mesatare e infeksioneve për 100.000 banorë ra pak për herë të parë pas tri javëve.