Serbët e Kllokotit, të organizuar në grup, janë drejtuar sot në mënyrë të koordinuar drejt kutive të votimit. Ashtu si herën e kaluar, edhe këtë herë Lista Serbe ka shkuar në qendrën e votimit në mënyrë të organizuar. Nën udhëheqjen e Bozhidar Dejanoviqit, kandidatit të kësaj partie për kryetar komune, ata kanë hyrë në turmë në qendrën e votimit.
Kllokoti – komunë me shumicë serbe – po zhvillon balotazhin vetëm formalisht, pasi Sreqko Spasiq nga Iniciativa Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb” është tërhequr nga gara dhe u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të votojnë për kundërshtarin e tij, Bozhidar Dejanoviqin nga Lista Serbe.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e drejtpërdrejtë të Beogradit, i fitoi nëntë komunat e tjera me shumicë serbe në rundin e parë të zgjedhjeve më 12 tetor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka sqaruar se votimi në Kllokot duhet të mbahet formalisht, pasi afati i fundit për tërheqjen e kandidatëve nga gara ka qenë më 2 shtator 2025, ndërsa Spasiq është tërhequr në fillim të nëntorit.