Deputeti i Partisë Demokratike, Përparim Gruda, nuk ka asnjë dyshim për kushtetutshmërinë e vendimit të Presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës. Duke komentuar për pasojat e shpërndarjes së Kuvendit, Gruda tha në emisionin “Context” në ATV se kjo do ta linte vendin me një qeveri në dorëheqje e cila do të vazhdonte të mbante privilegjet e pushtetit pa sjellë asnjë përfitim për qytetarët, duke e rikthyer vendin në situatën identike të para një viti.
“Nëse Kuvendi shpërndahet, kemi qeveri në dorëheqje. Kjo është qeveri në dorëheqje pastaj dhe do të jemi në një situatë ku këta vazhdojnë i marrin vetëm privilegjet por kurrgjë qytetarëve nuk iu kthehet.” – tha Gruda.
Gruda vlerësoi përpjekjet e opozitës për për një kandidat konsensual për president, por sipas tij, Kurti nuk kishte interes që procesi të përfundonte me marrëveshje.
“Është hera e parë që një opozitë tregohet kaq konstruktive që me gjet një President konsensual. Nuk ka dashtë e ka dizajnuar të gjithë procesin për të dështuar. Një diçka i mungon dizajnimit për me dështu procesin; fajësimi i opozitës.” – shtoi ai.
Sipas Grudës, që në start procesi ishte i dizajnuar për të zgjedhur Glauk Konjufcën në krye të shtetit, dhe se thirrjet e Kurtit për diskutime nuk ishin serioze por, siç e quajti ai, “konsumim i pritjeve të publikut.”
“Kësaj here është problematik mendoj unë. Unë jam i bindur që procesi nga fillimi ka qenë i dizajnuar për Glauk Konjufcën. Konsulimi me partitë opozitare ka qenë vetëm konsumim i pritjeve të publikut.” – tha Gruda.
Ai akuzoi Kurtin se është i përqendruar te procedurat dhe te zgjerimi i pushtetit, e jo te zgjidhja e problemeve që prekin qytetarët.
“Dhe unë iu bëj ftesë njerëzve që me shiku krejt këtë proces në një mënyrë të caktuar. Me lexu diskursin e Albin Kurti fjalë për fjalë dhe me mëndu në një moment a do t’mundnit me ndalë atë videon ku flet Kurti dhe me thënë ‘prit kjo është për mua, kjo tjetra është për prindërit e mi, tjetra për fëmijët e mi, tjetra për rrugën, shkollën’. S’ka.
“Krejt çka ka është kurthimi në kthinat e Kuvendit, në procedura, në kravatë të shtrëngume për me marrë më shumë e më shumë pushtet. Pangopësia për pushtet e Albin Kurtit po e mban Kosovën peng. Po na mban të gjithëve peng.” – tha deputeti i PDK-së.