Deputeti i PDK’së, Përparim Gruda tha se vendimi i djeshëm i Gjykatës Supreme ka vulosur faktin se mbajtja e funksioneve të dyfishta nga ana e ministrave që njëkohësisht janë edhe deputetë, është e kundërligjshme dhe jokushtetuese.
“Dje, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës e shpalli të paligjshëm Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 për pajisjet elektronike fiskale. Ky vendim u bazua në Ligjin për Qeverinë, i cili e ndalon ushtrimin e funksioneve të dyfishta nga ana e ministrave që janë njëkohësisht edhe deputetë. Në këtë rast, ministri i financave, Hekuran Murati, nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe ministrit. Ky vendim nuk vlen vetëm për një individ, por për të gjithë ministrat dhe për vetë Kryeministrin Kurti, të cilët aktualisht janë edhe deputetë në Kuvendin e Kosovës. Gjykata ka vulosur një të vërtetë që ne e kemi theksuar që nga dita e parë: mbajtja e funksioneve të dyfishta është e kundërligjshme dhe jokushtetuese. Kjo është edhe arsyeja që në seancën e parë e kemi kundërshtuar edhe raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve”, tha ai.
PDK i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ministrave që janë njëkohësisht deputetë të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme.
Ai po ashtu ka kërkuar që t’i ndalin sulmet ndaj gjyqësorit.
“Gjithashtu, i bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të jetë vigjilente dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi gjyqësor, i cili është i menjëhershëm dhe i detyrueshëm. Kosova ka nevojë për sundim të ligjit, jo për shtet të njerëzve mbi ligjin”, tha Gruda.