Gruaja që u vra dje në Prishtinë e kishte denoncuar dy herë burrin për dhunë, herën e fundit para 12 ditëve - Gazeta Express
string(106) "gruaja-qe-u-vra-dje-ne-prishtine-e-kishte-denoncuar-dy-here-burrin-per-dhune-heren-e-fundit-para-12-diteve"

Gruaja që u vra dje në Prishtinë e kishte denoncuar dy herë burrin për dhunë, herën e fundit para 12 ditëve

Lajme

Merita Miftari

15/03/2021 17:49

Më 3 mars të këtij viti, 12 ditë para se të privohej nga jeta, 42-vjeçarja S.S., e kishte paraqitur rastin në polici. Viktima kishte pasur probleme me ish-burrin edhe në të kaluarën. Palët ishin të njohur për policinë për një denoncim të bërë për sulm dhe dhunë në familje edhe në vitin 2019

Gruaja që u vra dje nga burri, i cili më pas vrau edhe veten, e ka denoncuar në polici dy herë dorasin. Denoncimi i fundit kishte ndodhur para më pak se dy javësh.

Lexo Edhe:

Këto informacione i ka konfirmuar për Gazetën Express, Zyra për Informim e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës.

“Bazuar në të dhënat zyrtare rezulton se personat në fjalë kanë qenë palë në dy raste. Njëri nga rastet sulm dhe dhunë në familje është raportuar në vitin 2019 në Gjilan, ndërsa rasti i dytë  Dhunë në Familje është raportuar me 03.03.2021, në Graqanicë”, thuhet në përgjigjen e tyre për Gazetën Express.

Lidhur me rastin e dytë, policia thotë se në koordinim me prokurorin e shtetit janë ushtruar autorizimet ligjore.

“Ndërlidhur me rastin e dytë i njëjti është trajtuar nga ana e hetuesve policor të Graqanicës, dhe në koordinim me prokurorin e shtetit janë ushtruar autorizimet ligjore”, vijon përgjigja e policisë për Express.

L.S., 45-vjeçar ka privuar nga jeta bashkëshorten S.S., 42-vjeçare, më pas ka vrarë edhe veten. Vrasja dhe vetëvrasja ndodhi ditën e djeshme në lagjen “Emshir” të Prishtinës, ndërsa në afërsi të viktimave u gjetën një armë zjarri dhe gëzhoja plumbash.

Vrasja dyshohet se ka ndodhur për shkak të problemeve që çifti kishin mes vete, gjithashtu raportohet se së fundmi i kishin ndarë rrugët – ishin në procedura të shkurorëzimit.

Për disa orë, trupat e pajetë të viktimave qëndruan në rrugë, ndërsa më pas me urdhër të prokurorit kujdestar, viktimat u dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Prokuroria Themelore e Prishtinës njoftoi dje se në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të grumbullimit të informatave dhe provave rreth këtij rasti.

Familjarët kanë njoftuar se lamtumira e fundit do t’i jepet çiftit nesër në varrezat e qytetit të Gjilanit. /Gazeta Express/