Vera Berisha Ndrejaj është kandidatja më e poentuar në konkursin për drejtor të Klinikës së Sëmundjeve Ngjitëse në QKUK.
Berisha Ndrejaj është bashkëshortja e drejtorit të Klinikës së Gjinekologjisë, njëherësh kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare në vend.
Sipas njoftimit të ShSKUK-së, Vera Berisha Ndrejaj është poentuar me gjithsej 81.3 pikë duke përfshirë tekstin me shkrim dhe intervistën. Rezultat për këtë konkurs dhe disa të tjerë për drejtor të klinikave në QKUK janë shpallur më 10.08.2025, ndërsa kandidatët e pakënaqur kanë të drejt ankese brenda një afati 30 ditor.
KALLXO.com ka provuar të kontaktoj përmes thirrjeve telefonike dhe mesazheve me Vera Berisha Ndrejaj dhe Zef Ndrejaj, por ata nuk kanë qenë të qasshëm. Në rast se Berisha Ndrejaj dhe Ndrejaj kthejnë përgjigje, KALLXO.com do t’i vendosë përgjijet e tyre brenda artikullit.
Zef Ndrejaj, drejtor i Gjinekologjisë, kishte kandiduar në listën e LVV-së për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Ndrejaj kishte arritur të marrë mbi 9 mijë e 600 vota, por të pamjaftueshme për të hyrë në Kuvendin e Kosovës.
Ai në njërin nga postimet e tij në Facebook pas rezultateve zgjedhore, kishte shkruar se ndonëse nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re i uronte fat “Qeverisë Kurti 3”.
“Qeverisë Kurti III i uroj punë të mbarë, dhe do të jem gjithmonë i angazhuar në rrugën e shtet-ndërtimit dhe forcimit të sovranitetit të Kosovës”- kishte shkruar ai.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fzef.ndrejaj.9%2Fposts%2F4756480134577592&show_text=true&width=500
Ndërkaq, Vera Berisha Ndrejaj, e përzgjedhur për pozitën e Drejtoreshës është infektologe në Klinikën Infektive.