Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi ka paralajmëruar për një botë me mbi 25 shtete me armë bërthamore.
“Pa dashur të përhap panik, rreziku i një konflikti bërthamor është më i madh sot sesa në të kaluarën”, ka thënë ai në një intervistë për të përditshmen italiane, La Repubblica.
Ai ka sugjeruar se në një pikë 20 deri në 25 shtete do të mund të kenë armë bërthamore, pa përmendur afate kohore.
Aktualisht, janë nëntë shtete në botë me armë bërthamore, sipas ekspertëve.
“Procesi i çarmatimit apo zvogëlimi i kontrolluar i arsenalit bërthamor është bllokuar”, ka thënë shefi i agjencisë së Kombeve të Bashkuara.
“Ato shtete që posedojmë armë bërthamore janë duke prodhuar më shumë sosh, përfshirë Kinën”.
Ai e ka tërhequr vërejtjen edhe për rritjen e retorikës për sulme bërthamore taktike, të cilën e ka përshkruar si shqetësuese.
Grossi e ka parë si brengosës edhe synimin e shumë shteteve për blerjen e armëve bërthamore.
“Si drejtor i agjencisë, nuk mund t’i përmendi me emra. Këto janë shtete të rëndësishme në Azi dhe Gjirin Persik. Një botë me 20-25 shtete të pajisura me armë bërthamore është diçka e paparashikueshme dhe e rrezikshme”.
Në mesin e nëntë shteteve me armë bërthamore, pesë janë vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kina.
Tjerat shtete janë India, Pakistani, Koreja e Veriut dhe Izraeli, sipas një raporti të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, me seli në Stokholm, si dhe gjetjeve prej Fushatës Ndërkombëtare për Braktisje të Armëve Bërthamore.
Së bashku, këto vende besohet se i kanë 12.000 armë bërthamore, ndërsa vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Rusia i kanë rreth 10.700 prej tyre.