Greqia e Gjermania u hapin dyert shqiptarëve, ç’duhet të dini përpara se të udhëtoni, kriteret - Gazeta Express

Shqiperi

Gazeta Express

19/06/2021 11:22

Me i fundit

Greqia e Gjermania u hapin dyert shqiptarëve, ç’duhet të dini përpara se të udhëtoni, kriteret

Shqiperi

Gazeta Express

19/06/2021 11:22

Pas rekomandimit të Bashkimit Europian, Greqia dhe Gjermania kanë hequr kufizimet e lëvizjes me Shqipërinë, duke e çuar në pesë listën e vendeve që u hapin portën turistëve shqiptarë, pas Spanjës, Francës dhe Hungarisë.

Për hyrjet në Gjermani kërkohet një test Covid-i, një dëshmi që personi e ka kaluar virusin ose është vaksinuar. Ndërsa Greqia mjaftohet me një rezultat negativ nga testi i shpejtë, PCR ose certifikatë shërimi nga virusi.

Si autoritetet gjermane, edhe ato greke, njohin vetëm vaksinat e miratuara nga enti rregullator europian i barnave. Nga “Pfizer”, “AstraZeneca”, “Moderna” dhe “Jenssen”, në Shqipëri janë aplikuar vetëm dy të parat. Shumica e injektimeve për imunizimin ndaj Covid janë nga “Coronavac”-i kinez.

GREQI

Nga sot, në shtetin helen do të lejohen të kalojnë të gjitha kategoritë e udhëtarëve nga Shqipëria, si për qëllime familjare, ashtu dhe turistike.

Udhëtarët duhet të kenë më vete një formular për lëvizjen, certifikatën e vaksinimit, test PCR ose rapid, si dhe certifikatën e dianzës pozitive, e vlefshme për dy deri në nëntë muaj. Të njëjtat kritere do të përdoren edhe për fëmijët mbi 12 vjeç.

Pavarësisht kësaj, në pikat kufitare do të vijojnë të kryhen teste të rastësishme nga autoritetet. Ndërsa numri limit i hyrjeve deri në datën 28 qershor mbetet 1500 në ditë për hyrjet nga Kakavija, 250 nga Qafë-Bota dhe 400 nga pika kufitare e Kapshticës.

Pas kësaj date, pritet liberalizimi i plotë i lëvizjes. Një pikë e rëndësishme mbetet formulari tip PLF, i cili është i detyrueshëm për plotësim nga të gjitha pikat kufitare. Mosplotësimi i tij në rrugë elektronike online, sipas Ministrisë së Jashtme, nënkupton se është arritur limiti ditor i udhëtimeve. Qytetarët mund të zgjedhin një ditë tjetër për të udhëtuar drejt Greqisë.

GJERMANI

Nga nesër, shtetasit shqiptarë do të lejohen të hyjnë sërish në Gjermani, pa qenë nevoja të justifikojnë shkakun e udhëtimit. Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjermane mbi heqjen e kufizimeve të lëvizjes për disa vende të treta që nuk janë më zonë rreziku përfshihet edhe Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Kushti i vetëm është vaksinimi me një nga dozat e miratuara nga autoritetet rregullatore europiane, por nuk përjashtohet mundësia që në muajt në vijim të pranohen edhe per sonat e vaksinuar me doza nga firma me një standard të krahasueshëm mbrojtjeje.

Një fjali e tillë në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjermane lë të hapur mundësinë e lëvizjes edhe të qytetarëve të vaksinuar me “Coronavac”, e cila ka marrë tashmë miratimin e OBSH-së.

Sipas dokumentit, të vaksinuarit duhet të kenë përmbushur afatin dyjavor pas injektimit të dozës së dytë. Të premten, Këshilli Europian përfshiu Shqipërinë në listën e shteteve të cilat u janë hequr kufizimet për të kryer udhëtime jobazike drejt vendeve të unionit.

Lista, e cila do të rishihet pas dy javësh, përveç Shqipërisë, përfshin edhe shtete si Serbia, Maqedonia e Veriut, Australia, Japonia, Libani, Izraeli, Ruanda, Koreja e Jugut, Singapori, Tajlanda, Shtetet e Bashkuara, si dhe për Hong-Kongun dhe Makaun.