Grenell: Duket se Bideni ka harruar që Ballkani ekziston - Gazeta Express
string(55) "grenell-duket-se-bideni-ka-harruar-qe-ballkani-ekziston"

Grenell: Duket se Bideni ka harruar që Ballkani ekziston

OP/ED

Gazeta Express

08/09/2021 10:42

Një vit më parë, Serbia dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje normalizimi në Zyrën Ovale. Tani, atyre ujdive po u skadon afati dhe Bidenit s’po i bën fare.

Richard Grenell

Lexo Edhe:

Një vit më parë, më 4 shtator, bota e festoi nënshkrimin e Marrëveshjes për Normalizim Ekonomik mes Kosovës e Serbisë në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Trump i kishte bërë bashkë Presidentin Aleksander Vuçiq të Serbisë dhe Kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hotin për të bërë një hap të jashtëzakonshëm drejt zgjidhjes së konfliktit të tyre historik.

Ishte vizion i Donald Trumpit për Kosovën dhe Serbinë që t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre ekonomike dhe të fillohet një rivitalizim i plotë në mbarë Ballkanin. Presidenti Trump besoi se konflikti i perceptuar ishte duke i prekur krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik për të gjithë të përfshirët. Ai gjithashtu besoi se strategjia e bisedimeve të vazhdueshme politike, të udhëhequra nga evropianët, nuk po funksiononte.

Fatkeqësisht për Ballkanin, Administrata e Bidenit e mori pozicionin e kundërt. Presidenti Joe Biden vazhdon t’i injorojë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë dhe tërë rajonin dhe ka vendosur që thjesht nuk dëshiron të përfshihet. Ai nuk ka të dërguar presidencial për bisedime dhe nuk ka diskutime apo lanë për rajonin brenda Shtëpisë së Bardhë. Nuk ka vizita të nivelit të lartë të planifikuara nga zyrtarët amerikanë dhe as data për udhëheqësit ballkanikë për të ardhur në ShBA.

Megjithatë, ekziston një pranim tërësisht i heshtur nga Bideni ndaj procesit të Bashkimit Evropian në Bruksel të Belgjikës. BE-ja tani është e ngarkuar me strategjitë për rizhvillim të Ballkanit dhe bisedime për normalizim. Dhe, siç kemi parë nga ritmi i diskutimeve për pranim në BE, njerëzit e rajonit të Ballkanit nuk do të kenë ndihmë së shpejti.

Por Presidenti Trump ende beson se secila palë duhet ta vazhdojë zbatimin e Marrëveshjes për Normalizim Ekonomik të vitit 2020, pavarësisht mungesës së lidershipit të Bidenit. Administrata e Trumpit besoi se hapat kosovarë dhe serbë drejt normalizimit ekonomik do t’i dobësonin fuqinë dhe rëndësinë e pullës së nxehtë të mosmarrëveshjes dhe çështjet emocionale politike dhe se ata ishin parakushte për një zgjidhje të përhershme të mosmarrëveshjeve politike. Vizioni i Presidentit Trump po funksiononte. Përmes bisedimeve për të cilat u dha shumë mund, palët u pajtuan për të ndërtuar një rrugë dhe një linjë hekurudhore si dhe të vendosin një linjë të drejtpërdrejtë fluturimesh mes kryeqyteteve të tyre, Beogradit e Prishtinës.

Nën pushtetin e Trumpit, Serbia dhe Kosova gjithashtu u pajtuan për ta hapur dhe për ta operacionalizuar objektin e Pikëkalimit të Përbashkët Kufitar në Merdare. Ky pikëkalim kufitar, tashmë i hapur, duhet të jetë vetëm fillimi i kalimit të lirë dhe aq të nevojshëm të njerëzve e mallrave mes Serbisë e Kosovës. Trumpi ende beson se secila palë duhet t’i njohë diplomat dhe certifikatat profesionale të njëra-tjetrës dhe t’i bashkohen “zonës së mini-Schengenit”, të paraqitur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore në tetor të vitit 2019.

Zotimet e mëparshme për ta mbrojtur dhe për ta promovuar lirinë e fesë, përfshirë komunikimin e përtërirë ndërfetar, mbrojtjen e objekteve fetare dhe kthimin e vazhduar të pronave hebreje pa trashëgimtarë e pa pretendues, ia vlejnë të zbatohen, ndonëse Administrata e Bidenit nuk po jep vëmendje. E tillë është edhe marrëveshja për ta cilësuar Hezbollahun si tërësi organizatë terroriste dhe zbatimi i plotë i masave për t’i kufizuar operacionet dhe aktivitetet financiare të Hezbollahut në juridiksionet e palëve. Ekipi i Trumpit shpreson se të dyja palët gjithashtu do të vazhdojnë me zotimet e tyre për të ndihmuar në dekriminalizimin e homoseksualitetit në 69 shtetet ku aktualisht është i paligjshëm dhe gjithashtu për t’i zgjeruar marrëdhëniet e tyre diplomatike me Izraelin.

Ndoshta më e rëndësishmja – për njerëzit në terren, palët e përfshira në bisedime dhe për historinë e të ardhmen e rajonit – Trumpi beson se palët gjithashtu duhet t’iu përmbahen zotimeve për përshpejtimin e përpjekjeve për t’i lokalizuar dhe identifikuar mbetjet e personave të zhdukur nga lufta, e cila ka përfunduar dy dekada më parë.

Por porta historike e krijuar nga marrëveshja historike e Trumpit më 4 shtator ka një dispozitë, e cila tashmë është çuar dëm nga Administrata e Bidenit. Ka qenë shumë irrituese të shikosh përderisa Bideni i ka injoruar paralajmërimet e mia më herët këtë vit se fundi në pritje i njërës prej pikave për të cilat është bërë më së shumti mund në marrëveshje tashmë po ndodh: moratoriumi njëvjeçar rreth kërkesave të Kosovës për anëtarësime të reja në organizata ndërkombëtare dhe moratoriumi njëvjeçar për fushatën e Serbisë për çnjohje kundër Kosovës.

Fatkeqësisht, ky zotim njëvjeçar ka përfunduar dhe palët nuk janë tashmë të detyruara që ta mbajnë atë. Është jashtëzakonisht zhgënjyese që Joe Biden dështoi madje edhe për të provuar që ta zgjasë zotimin e tyre. Duket sikur Joe Biden ka harruar madje edhe që Ballkani ekziston.

Besimi i Presidentit Turmp nga fillimi ka qenë që besimi ndërtohet së pari në procesin e krijimit të mundësive dhe të ardhmes për të rinjtë e jo aq me zgjidhjen e hesapeve, simbolizmit apo luftimin e gabimeve historike. Fatkeqësisht, ekipi i Trumpit u gabua, kur mendoi që zgjidhja shpirtngushtë e hesapeve mes kundërshtarëve politikë ishte vetëm një problem në Ballkan; tani shohim se Administrata e Bidenit e ka vështirësinë e njëjtë./Përktheu: Nasuf Abdyli, Gazeta Express

Ky op-ed u shkrua për faqen amerikane, “The Federalist”.