Jack Grealish i ofroi çmimin “Lojtari i Ndeshjes” një lojtari të Crystal Palace – pavarësisht se ishte ai që shënoi golin e fitores për Evertonin kundër “Shqiponjave”.
Grealish po kalon sezonin në huazim tek Everton nga Manchester City, me synimin për të rikthyer formën e tij në prag të Kupës së Botës së ardhshme.
Sulmuesi 30-vjeçar e ka nisur mirë aventurën e tij me “Toffees”, duke regjistruar katër asiste nën drejtimin e David Moyes.
Sot ai shënoi edhe golin e tij të parë në Premier League me fanellën e Evertonit, në fitoren 2-1 kundër Crystal Palace në “Hill Dickinson Stadium”, pasi skuadra e tij përmbysi rezultatin në minutat e fundit.
Skuadra e Oliver Glasner kaloi në avantazh në pjesën e parë me një gol të Daniel Muñoz, ndërsa në minutën e 75-të Iliman Ndiaye barazoi nga pika e bardhë, pasi mbrojtësi i Palace, Maxence Lacroix, faulloi Tim Iroegbunam.
Kur dukej se ndeshja do të përfundonte në barazim, në minutën e 93-të Grealish shënoi golin e fitores, duke përfituar nga një top i kthyer pas pritjes së Dean Henderson ndaj goditjes së afërt të Betos.
Pas ndeshjes, Grealish u shpreh i lumtur për golin e parë me Evertonin dhe falënderoi tifozët për mbështetjen e ngrohtë.
Ai tha për Sky Sports: “Është fantastike. Është një ndjesi e mrekullueshme të shënosh këtu. Është çmenduri sepse në ndeshjet e fundit këtu kemi barazuar dhe gjithmonë i thoja vetes në minutën e 85-të: ‘Hajde Jack, shko shëno tani. Imagjino sikur të shënoje.’ E thashë të njëjtën gjë kundër Aston Villa dhe West Ham, por nuk shënova. Sot e thashë përsëri dhe e bëra – vrapova drejt vendit ku ishin prindërit e mi. Ishte një moment i veçantë. Ky gol shkon për të gjithë tifozët e Evertonit që më kanë pritur kaq mirë.”
Gjatë intervistës, Grealish mësoi se do të merrte çmimin “Lojtari i Ndeshjes” për paraqitjen e tij, por ai e refuzoi me modesti, duke thënë se në fakt dikush tjetër e meritonte më shumë.
“Ishte e vështirë sot kundër një skuadre kaq të mirë, me lojtarë fantastikë. Mendoj se Adam Wharton ishte më i miri në fushë sot. E shoh çmimin e ‘Lojtarit të Ndeshjes’ që po vjen tek unë, por sipas mendimit tim ai duhet t’i shkojë Whartonit. Ai ishte lojtari më i mirë i ndeshjes.”
Gjest fisnik nga Grealish – një shenjë respekti për talentin e ri të Crystal Palace, Adam Wharton, i cili është shndërruar në një nga mesfushorët më premtues në Premier League që pas transferimit të tij nga Blackburn Rovers në fillim të vitit 2024./GazetaExpress/