Nga Kirsten Dunst dhe Jesse Plemons te Justin dhe Hailey Bieber, shumë çifte të famshme mund të dukeshin lehtësisht si vëllezër e motra.
Tani, një studim ka zbuluar se kjo nuk është rastësi.
Shkencëtarët nga Korea Advanced Institute of Science and Technology kanë konfirmuar se gratë tërhiqen nga burrat që duken si vëllezërit e tyre.
Për të kuptuar se çfarë njerëzit kërkojnë kur vlerësojnë partnerët potencialë, ekspertët analizuan ndërveprimet e mbi 40,000 përdoruesve në një platformë të njohur të takimeve online.
Duke përdorur mjetet e inteligjencës artificiale, studiuesit arritën të matin sa ngjashëm ishin përdoruesit si në tiparet fytyrore, ashtu edhe në tiparet e personalitetit.

Rezultatet treguan se gratë kanë një “preferencë të qartë” për burrat që duken më shumë si ato.
Ndërsa arsyeja mbetet e paqartë, studiuesit sugjerojnë teorinë e “investimit prindëror”.
“Kjo sugjeron që gratë priren të vënë në prioritet shenjat e besueshmërisë dhe të njohjes për të reduktuar rreziqet e zgjedhjes së partnerit, ku ngjashmëria fytyrore mund të shërbejë si një udhërrëfyes,” shpjeguan ata.
Ndërsa bukuria është në sy të shikuesit, studiuesit donin të kuptonin se çfarë kërkojnë burrat dhe gratë kur vlerësojnë partnerët potencialë online.
Ata përfshinë 41,441 pjesëmarrës të moshës 18–47 vjeç, përdorues të një aplikacioni të njohur takimesh në Korenë e Jugut.
Duke përdorur AI, studiuesit analizuan gjithsej 506,014 ndërveprime midis këtyre përdoruesve.
Rezultatet treguan se kur bëhet fjalë për tiparet fytyrore, gratë preferojnë burrat që duken si ato.
Në kontrast, burrat preferojnë fytyra jo të ngjashme – duke vlerësuar gratë më lart kur tiparet e tyre nuk ngjasojnë me të vetat.
“Kjo përputhet me logjikën evolucionare të shmangies së lidhjeve të afërta gjenetikisht,” shpjeguan studiuesit në studimin e tyre të publikuar në Computers in Human Behavior.
“Tërheqja ndaj fytyrave të ndryshme mund të jetë një mekanizëm i zhvilluar për të shmangur kostot gjenetike dhe për të rritur diversitetin gjenetik të pasardhësve.”
Ndërsa sa i përket ngjashmërisë së personalitetit, statusi socio-ekonomik u identifikua si faktori më vendimtar.

Kur personalitetet përputheshin, gratë vlerësuan burrat me status të lartë edhe më pozitivisht.
Megjithatë, burrat vlerësuan gratë me status të lartë më pak favorizueshëm kur personalitetet e tyre ishin të ngjashme.
Sipas studiuesve, kjo sugjeron një “çarje të statusit”.
“Duke pasur parasysh se roli tradicional i burrit lidhet me sigurimin e burimeve, statusi më i lartë i partnerit mund të sinjalizojë një devijim nga ky skenar,” shpjeguan ata.
“Në këto kontekste, rëndësia e tipareve për ndërtimin e afërsisë, si ngjashmëria e personalitetit, duket se ulet.”
Të dukesh si partneri yt nuk është fenomem i ri; një llogari e njohur në Instagram i dedikohet pikërisht kësaj.
Llogaria @siblingsordating ka mbi një milion ndjekës dhe sfidon përdoruesit e rrjeteve sociale të gjejnë nëse çiftet janë të gjakut apo të dashur.
Disa çifte ndajnë tipare pothuajse identike, ndërsa fotot e tjera tregojnë familjarë që pozojnë shumë afër njëri-tjetrit, duke krijuar një ndjesi pak të sikletshme. /GazetaExpress/