“Gratë e Trojës” në Dodona - Gazeta Express
string(24) "grate-e-trojes-ne-dodona"

Arte

Gazeta Express

30/10/2024 14:28

“Gratë e Trojës” në Dodona

Arte

Gazeta Express

30/10/2024 14:28

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet dhe Teatri Dodona më 5 dhe 6 nëntor, 2024 sjellin shfaqjen “Gratë e Trojës”, duke filluar nga ora 19:30 në Teatrin Dodona, në Prishtinë.

Shfaqja “Gratë e Trojës,” e bazuar në veprën e Euripidit, kapërcen kohën dhe hapësirën, duke e kthyer luftën e lashtë të Trojës në një metaforë universale të ciklit të pafund të tragjedive njerëzore—një jehonë që vazhdon të përshkojë historinë e njerëzimit. Ky produksion, i zhvilluar gjatë një periudhe dyvjeçare, ndërthur talentin e 15 artistëve të teatrit nga Kosova dhe Serbia, duke rrënjosur motërzimin artistik dhe aktivist në përvojën e mbi 15 vjet shkëmbimesh dhe rrjetëzimesh të frytshme ndërmjet Artpolis dhe artisteve nga Serbia.

Me dramaturgji dhe regji të Zana Hoxhës dhe Maja Mitić, dhe me tekst bashkëkohor nga Shpëtim Selmani, “Gratë e Trojës” sjell përmes qasjes feministe ndjeshmërinë dhe qëndresën e grave përballë terrorit të luftës—nga Greqia antike e deri në ditët e sotme, aty ku luftërat dhe konfliktet vazhdojnë.

Personazhet e Hekubës, Kasandrës dhe Andromakës nuk janë thjesht figura të një tragjedie të lashtë, por mishërimi i vuajtjeve të grave të sotme në zona lufte, të cilat mbajnë mbi supe peshën e humbjeve të paimagjinueshme. Ashtu si ato, gratë sot vazhdojnë të humbasin familjet, shtëpitë dhe dinjitetin, të shpërngulura e të pambrojtura në një botë që shpesh i sheh thjesht si plaçkë lufte. Ato përballen çdo ditë me mizorinë, dhunën dhe pabarazinë, ndërsa shpresojnë për një të ardhme ku zërat e tyre të dëgjohen dhe vuajtjet e tyre të mos mbeten në heshtje. Kjo përsëritje i tragjedisë na kujton se lufta nuk përfundon me armët, por mbetet e gjallë në shpirtin e atyre që mbijetojnë dhe që kërkojnë drejtësi mes rrënojave.

Kjo shfaqje inskenohet në gjuhën shqipe dhe serbe nga kasti i aktorëve: Maja Mitić, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojković, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski, dhe shoqërohet me titra në anglisht.

“Gratë e Trojës” është zhvilluar dhe mbështetet nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë në kuadër të projektit “Humanrightivism”, implementuar nga CDF, Bashkimi Evropian, UNFPA, MKRS dhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë. Partnerë në këtë aktivitet të Artpolis janë Teatri Dodona dheKomiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut (Serbi).

Shfaqja “Gratë e Trojës”

Teksti bashkëkohor: Shpëtim Selmani

Bashkëregjisore dhe dramaturge: Maja Mitić, Zana Hoxha

Aktoret/Aktorët: Shpëtim Selmani, Maja Mitić, Qendresa Kajtazi, Branka Stojkoviq, Semira Latifi, Labinot Raci, Aleksandar Stoimenovski.

Koreograf: Robert Nuha

Kompozitor: Liburn Jupolli

Kostumet: Yllka Brada

Teknik i zërit dhe dritës: Skender Latifi

Menaxhere produksioni: Venera Ismaili, Elira Lluka, Valëza Sijarina

Fotografe: Majlinda Hoxha

Dizajni: Arbër Matoshi

Paralajmërim rreth Përmbajtjes: “Gratë e Trojës” përmban tema të ndjeshme, veçanërisht mbi përdhunimin, luftën dhe mekanizmat përballues pas ngjarjeve të tilla të tmerrshme. Demonstron një kuptim të thellë të traumës, elasticitetit dhe reagimeve individuale ndaj fatkeqësive. Kjo shfaqje fton audiencën të përfshihet në një reflektim të thellë mbi kompleksitetin e gjendjes njerëzore.