Google konfirmon rënien e lëvizjes së njerëzve gjatë pandemisë - Gazeta Express

AutoTech

Gazeta Express

27/05/2020 23:42

Google konfirmon rënien e lëvizjes së njerëzve gjatë pandemisë

AutoTech

Gazeta Express

27/05/2020 23:42

Ndërsa qeveritë dhe komunitetet në mbarë botën i përgjigjen pandemisë së COVID-19, Google dhe gjigandët e tjerë të teknologjisë kanë përcjellë ndryshimet dramatike në lëvizjen e njerëzve ndërsa ata përballen me masat kufizuese.

 Zëri i Amerikës foli me banorët brenda dhe rreth zonës së Uashingtonit për të zbuluar se ku po shkojnë njerëzit këto ditë, dhe pse.

Ky dyqan në pjesën veriore të Virxhinias dikur ishte shumë i frekuentuar, duke shitur bileta të transportit publik për rreth 200 njerëz në javën e parë të çdo muaji. Covid-19 e ndryshoi këtë.

“Dje kishim vetëm një klient. Rënia e shitjeve ka një ndikim të madh ekonomik”, thotë Maira Perdomo, punonjëse e transportit publik.

Rënia e numrit të njerëzve që udhëtojnë në punë ka bërë që të bie me 52 për qind aktiviteti në stacionet e transportit publik në Virxhinia në prill në krahasim me periudhën para-pandemisë. Këto të dhëna janë të bazuara në raportin e kompanisë Google mbi lëvizjen e individëve gjatë pandemisë së Covid-19.

“Zakonisht e përdor trenin çdo mëngjes, por tani po përdor taksinë Uber, kështu që kjo tani ka një ndikim më të madh në portofolin tim”, thotë Christopher Castillo, producent muzike.

Vizitat në dyqanet ushqimore, dyqanet e tjera me pakicë dhe zonat rekreative gjithashtu mbeten të ulëta.

“Tani unë e përdor makinën vetëm një herë në javë për të blerë gjërat që më duhen për një javë. Unë jam në shtëpi gjatë gjithë kohës duke ngrënë shumë!”, thotë Carol O’Neil, ish mësuese e artit.

Ky nuk është një lajm i mirë për pronarët e restoranteve.

“Ne tani ndoshta kemi 10 për qind të aktivitetit të biznesit që kishim para pandemisë. Kemi kaluar nga një restorant që ofronte shërbime brenda lokalit në një restorant që ofron dërgesa me porosi, dhe ne po mundohemi të mbajmë në punë të gjithë personelin duke provuar shërbimin e dërgesave”, thotë Omar Popal, Pronar i restorantit “Lapis Bistro”.

Ndërsa grafiku i kompanisë Google për Uashingtonin tregon një ulje prej 77 për qind që nga mesi i marsit të vizitave në parqe dhe kopshte publike që kur pandemia arriti në Shtetet e Bashkuara, këto zona nuk kanë qenë plotësisht bosh.

“Ne frekuentojmë hapësirat e gjelbra sepse të gjitha kopshtet me lojëra për fëmijë dhe objektet e tjera janë të mbyllura”, thotë Caroline, e cila punon si dado.

Megjithatë, në zonat e banuara, ku autoritetet duan që njerëzit të kalojnë pjesën më të madhe të kohës, mbyllja ngre shqetësime.

“Në ndërtesën ku unë banoj, ne po përdorim ashensorë dhe hapësira të tjera të përbashkëta. Ne në fakt sapo mësuam se dikush nga personeli i ndërtesës tonë rezultoi pozitiv me koronavirus. Para këtij lajmi, mendoja se isha në një zonë të sigurt”, thotë Victoria Cook, banore e Uashingtonit.

Megjithatë, masat e kufizimit të lëvizjes konsiderohen ende si një nga mënyrat më efektive për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Të gjithë sytë tani janë drejtuar nga shtetet që po fillojnë t’i lehtësojnë ato