Policia e Tiranës ka zbuluar dhe goditur një rrjet të organizuar prostitucioni, duke arrestuar 10 persona të dyshuar si tutorë të një grupi vajzash të huaja, kryesisht nga Kolumbia. Sipas hetimeve, këto vajza shfrytëzoheshin për prostitucion në kryeqytet, ndërsa një grua kolumbiane, e cilësuar si organizatore e rrjetit, është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ndodhet aktualisht në Kolumbi.
Në mesin e të ndaluarve është edhe një punonjëse policie, efektivja e Komisariatit nr.4 në Tiranë, Anisa Brahja. Ajo dyshohet se, përmes lidhjeve të saj me një taksist, siguronte klientë dhe i orientonte ata drejt vajzave të huaja.
Hetimet zbuluan se rrjeti funksiononte me një sistem të mirëorganizuar. Vajzat mbërrinin në Shqipëri përmes Rinasit dhe më pas akomodoheshin në apartamente të marra me qira, kryesisht përmes platformës Airbnb. Roli kryesor në menaxhimin e takimeve e kishte një taksist, i cili merrej me organizimin dhe transferimin e parave drejt Kolumbisë, duke përdorur Bitcoin dhe shërbime të tjera të transfertave financiare.
Tarifat për klientët varionin nga 200 deri në 250 euro për një takim, duke e bërë këtë një rrjet me fitime të larta. Policia vijon hetimet për të identifikuar dhe ndaluar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...