Gnabry gëzon Arsenalin, pasi mposhti Chelsean: Londra është ende e kuqe - Gazeta Express

Gnabry gëzon Arsenalin, pasi mposhti Chelsean: Londra është ende e kuqe

Sport

Gazeta Express

26/02/2020 8:32

Ylli i Bayern Munichut, Serge Gnabry, mbeti i kënaqur me paraqitjen mbresëlënëse të gjermanëve kundër Chelseat në Stamford Bridge. Pas ndeshjes, ish-anësori i Arsenalit deklaroi se “Londra është ende e kuqe”.

Anësori 24-vjeçar shkëlqeu në përballjen e së martës në Ligën e Kampionëve kundër Chelseat, duke i shënuar dy gola në pjesën e dytë të ndeshjen për t’ia dhënë fitoren me rezultat 3:0 Bayernit, transmeton Gazeta Express.

Goli i tij i parë erdhi në minutën e 51-të, kur e shfrytëzoi një harkim të Robert Lewandowskit, për t’ia dhënë mysafirëve epërsinë në Stamford Bridge.

Gnabry e shënoi edhe një gol tjetër vetëm tre minuta më vonë, duke e shfrytëzuar një tjetër pasim nga ylli polak.

Lewandowski e shtoi edhe një gol të vetin më vonë gjatë pjesës së dytë, pas një vrapimi dhe pasimi mbresëlënës nga Alphonso Davies.

Pas triumfit të të Bayernit, Gnabry e shfrytëzoi llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social Twitter, për të deklaruar se “Londra është ende e kuqe!” për ta festuar fitoren.

Gnabry kishte luajtur për pesë vjet, 2011-2016, në Londër pasi iu bashkua akademisë së Arsenalit nga Stuttgarti në moshën 16-vjeçare, ndërsa debutoi për ekipin e parë të Topçinjve në tetor të vitit 2012. /Gazeta Express/