GKK dhe GKA sjellin ekspozitën "Synime" - Gazeta Express
string(37) "gkk-dhe-gka-sjellin-ekspoziten-synime"

GKK dhe GKA sjellin ekspozitën “Synime”

Gazeta Express

07/10/2020 17:55

Ekspozita “Synime” bazohet në katër struktura konceptuale: Përmbledhje pamore; Gramatika e kujtesës; Anakronizma të vullnetshëm; dhe Arkivet e trupit

Galeria Kombëtare e Arteve dhe Galeria Kombëtare e Kosovës kanë kënaqësinë të informojnë publikun për nisjen e bashkëpuninimit të dy institucioneve në organizimin e ekspozitës në grup të artisteve nga Shqipëria dhe Kosova. Një projekt i iniciuar nga Galeria Kombëtare e Arteve në vitin 2019, kjo ekspozitë gjeti mbështetjen e Galerisë Kombëtare të Kosovës në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor ShqipëriKosovë, nënshkruar midis Ministrisë së Kulturës në Shqipëri dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë. Kuratoret e ekspozitës, Erëmirë Krasniqi dhe Adela Demetja kanë nisur prej disa muajsh punën hulumtuese të dy skenave artistike, një hulumtim i cili do të prezantohet në formën e një publikimi të thelluar në maj 2021. Ekspozita “Synime” do të hapet fillimisht në Galerinë Kombëtare të Arteve, në dhjetor 2020, dhe udhëton më pas drejt Prishtinës për t’u prezantuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në prill 2021. Kjo ekspozitë kërkon të prezantojë veprat dhe veprimtarinë artistike të artisteve të cilat në koleksionet publike të dy vendeve, por edhe në ato private vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara. Të dy institucionet synojnë që të prezantojnë në Kalendaret e tyre vjetor më shumë artiste, si dhe të ndryshojnë politikën e tyre të koleksionimit duke bërë pjesë më shumë vepra nga artistet e gjeneratave të ndryshme.

Lexo Edhe:

Ekspozita “Synime” Ekspozita “Synime” nxjerr në pah pozicionet artistike dhe metodologjitë individuale të grave artiste në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë. Nisur nga synimi për të zgjeruar historitë e grave në art, ekspozita shqyrton terrene të reja kritike për të ripërvetësuar dhe ripërfytyruar subjektivitetin e grave në historinë e artit. Teksa shikojmë nga afër mënyrat e të qenit në sferën e artit, jemi të vetëdijshme për pozicionimet e shumta në të cilat agjencia e grave është formuar, dhe kontekstin politik dhe kulturor në të cilin punët e tyre marrin kuptimin. Të vetëdijshme që esencializmat gjinor shpërndajnë dhe fiksojnë koncepte kulturore, që përcaktojnë çfarë gratë janë dhe çfarë ato mund të arrijnë, jemi në kërkim të narrativave jo njësuese të grave, metodologjive individuale, dhe pozicionimeve artistike që zbërthejnë, por edhe i ripërfshijnë ato në narrativat historike të arteve pamore. Ekspozita ofron mundësi për diskutim të veprave të prodhuara nga gratë, dhe konsideron trajektore të ndryshme artistike që gratë kanë thurur në kontekstin e pas Luftës së Dytë Botërore deri më sot. Ekspozita bazohet në hulumtimin e realizuar mbi artin dhe kulturën në këto dy vende, dhe shqyrton nga afër kushtet dhe regjimet estetike që kanë diktuar prodhimin dhe shprehjet artistike, dhe vendin e gruas në të. Për të evituar grackën e historizimit linear, ekspozita koncepohet duke ndërhyrë në mënyrat se si praktikat artistike të grave janë narrativizuar ose jo, dhe se si synimet individuale artistike kanë kontribuar në hapjen fushës së artit për praktikuese të tjera të artit. Ekspozita “Synime” bazohet në katër struktura konceptuale: Përmbledhje pamore; Gramatika e kujtesës; Anakronizma të vullnetshëm; dhe Arkivet e trupit.

Rreth kuratoreve

Adela Demetja është kuratore dhe autore (1984, Shqipëri). Ajo ka një master në “Studime kuratoriale dhe kritike” nga Universiteti Goethe dhe Städelschule, Frankfurt/Main, Gjermani. Demetja fillimisht e ka nisur karrierën si artiste, dhe ka studiuar nga viti 2002 deri në vitin 2006 pranë Akademisë së Arteve në Tiranë. Ajo drejton Tirana Art Lab-Qendër për Artin Bashkëkohor, një institucion i pavarur arti të cilin ajo e themeloi në vitin 2010. Si kuratore e pavarur ajo ka organizuar, menaxhuar dhe kuruar një numër ekspozitash ndërkombëtare dhe ngjarje në shtete të ndryshme të Evropës.

Erëmirë Krasniqi (1985, Kosovë) është hulumtuese dhe kuratore me bazë në Prishtinë. Ajo diplomoi në Bard College Berlin në Estetikë, Filozofi dhe Letërsi si dhe magjistroi në Letërsinë krahasuese në Dartmouth College. Në Dartmouth ajo ka punuar si asistente në disa kurse (Feminizmat islam transnacional, Gruaja virtuale e Kriegerit: Anime Japoneze dhe ideja e post-humanizmit, Hyrje në studimin e filmit dhe Filmi noir), si dhe asistente e hulumtumtimit në projektin Media Ecology, një burim digjital i cili është marrë me format e reja të prodhimit akademik, përkrahjen dhe avokimin e punës arkivore. Në vitin 2017, Krasniqi përfundoi programin “Ekspozimi i Historisë Bashkëkohore – Reprezentimi i shek. XX”, studim një vjeçar mbi muzeologjinë dhe praktikat kuratoriale në Universitetin Friedrich Schiller.