Gjyqtarja e akuzuar për korrupsion kërkon leje të shoqërojë në spital vajzën: Ka hemorragji nga hundët - Gazeta Express
string(101) "gjyqtarja-e-akuzuar-per-korrupsion-kerkon-leje-te-shoqeroje-ne-spital-vajzen-ka-hemorragji-nga-hundet"

Gjyqtarja e akuzuar për korrupsion kërkon leje të shoqërojë në spital vajzën: Ka hemorragji nga hundët

Gazeta Express

18/09/2020 10:23

Mimoza Margjeka, gjyqtarja e “kyçur” në shtëpi, pasi akuzohet se ka marrë 6 mijë euro për të liruar nga qelia një të dënuar, ka kërkuar leje pranë Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion, për të shoqëruar vajzën e saj 3-vjeçare në spital.

Lexo Edhe:

Margjeka thotë në shkresën që abcnews.al disponon, se vajza ka shfaqur hemorragji nga hundët me datë 15 shtator, ndërsa shprehet se duke qenë se edhe i shoqi ndodhet në paraburgim me të njëjtën akuzë si ajo, nuk ka asnjë person që mund të shoqërojë të bijën për vizitë mjekësore.

“Gjatë kohës që ndodhen me masë sigurimi “Arrest shtëpie”, vajza jonë tre vjeçare ka manifestuar një gjendje hemorragjie, gjak nga hundët, ngjarje e ndodhur në 15.09.2020. Kam njoftuar mjekun e lagjes i cili nëpërmjet rekomandimit me shkrim, ka udhëzuar vizitë klinike pranë specialistit përkatës. Në kushtet që ndodhem me arrest shtëpie e kam të pamundur të asistoj vizitat dhe mjekimin e vajzës, për shkak se edhe bashkëshorti siç edhe jeni në dijeni ndodhet në paraburgim me vendim gjykate, i bashkëakuzuar me mua dhe s’kam njerëz të tjerë familjarë apo të afërm të më ndihmojnë”, thuhet në shkresën e Margjekës drejtuar SPAK.

Margjeka është lënë në arrest shtëpi, bashkë me avokatin Skënder Demiraj i cili kishte ndërmjetësuar ujdinë mes palëve, ndërsa pa hekurave kanë përfunduar bashkëshorti i gjyqtares Arben Cara, si dhe Nejton Bali dhe Klaudjo Zhila kanë përfunduar pas hekurave.

Pas arrestimit të Orion Balit në Pogradec me akuzën e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit të emigrantëve nga Lindja dhe Afrika Veriore, vëllai i tij Nejton Balo u vendos në lëvizje. Pasi shkalla e parë e la në burg, Nejton Bali së bashku me Klaudjo Zhillën dhe avokatin Skënder Demiraj në bashkëpunimin me njëri tjetrin kontaktuan burrin e gjyqtares Arben Cara, të cilit i dhanë 6 mijë euro në mënyrë që gruaja e tij gjyqtare të ndryshonte vendimin, të cilin e bëri.

Margjeka njihet si gjyqtarja që nuk njohu rezultatin e zgjedhjeve lokale në Durrës vitin e shkuar. Ajo nuk i dha në shkallën e parë mandatin kryebashkiakes së PS që garoi vetëm, Valbona Sako. Sipas saj zgjedhjet ishin nul, për shkak të regjistrimit të kandidates tjetër të BD-së për kreun e bashkisë, Valbona Sakollari, jashtë afateve të përcaktuara me ligj.