Një situatë e rrallë ka ndodhur të enjten në Hungari, ku arbitri kosovar Mervan Bejtullahu gjykoi ndeshjen mes Gyorit dhe Pyunikut në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Gyori arriti ta përmbysë disavantazhin prej 2:1 nga ndeshja e parë, duke fituar 3:1 në shtëpi dhe siguruar kalimin tutje. Kroati Daniel Shtefulj vulosi rezultatin me golin e tretë në minutën e 90-të dhe festoi duke hequr fanellën, gjë që i solli një karton të verdhë.
Mirëpo, vetëm pak minuta më pas, Shtefulj u ndëshkua sërish për një faull të rrezikshëm, duke goditur kundërshtarin në fytyrë me këmbën e ngritur lart. Sipas rregullores, dy kartonë të verdhë do të thonin dalje automatike nga loja. Por për habinë e të gjithëve, mbrojtësi kroat qëndroi në fushë.
Bejtullahu u pa i pasigurt dhe u këshillua me ndihmësit, por vendosi të mos e nxjerrë lojtarin jashtë. Raportet e mediave kroate thonë se gjyqtari ka ngatërruar numrat e fanellave – Shtefulj mbante numrin 23, ndërsa Dejan Boldor 25, dhe sipas raportit zyrtar të UEFA-s, kartoni i verdhë i dytë iu faturua Boldorit.
Kështu, për një konfuzion të thjeshtë në numra, një lojtar vazhdoi të luajë ndonëse duhej të largohej, duke shkaktuar polemika për një episod të pazakontë që nuk shihet shpesh në futbollin evropian.