Gjykimi për vrasjen e dyfishtë, ftohet për t’u dëgjuar eksperti i hartografisë - Gazeta Express
string(76) "gjykimi-per-vrasjen-e-dyfishte-ftohet-per-tu-degjuar-eksperti-i-hartografise"

Gjykimi për vrasjen e dyfishtë, ftohet për t’u dëgjuar eksperti i hartografisë

Gazeta Express

24/01/2020 12:34

Në gjykimin ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë, Binak Panxha, do të ftohet për t’u dëgjuar eksperti i hartografisë, që përmes thirrjeve telefonike, të mund të dihet vendndodhja e të akuzuarit në ditën kur kishte ndodhur rasti.

Panxha akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes të rëndë ndaj vëllezërve Ramiz Berisha dhe Arsim Berisha, më 21 korrik të vitit 2017, në pyllin e fshatit Kosuriq të Pejës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lexo Edhe:

Vendimin për t’u ftuar eksperti i hartografisë, Gjykata Themelore në Pejë, e ka marr në seancën e së premtes.

Për të sqaruar lokacionin e të pandehurit Binak Panxha në kohën e kryerjes së veprës penale, përmes hartografisë së tij të telefonit, gjykatësi Sami Sharraxhiu, ka theksuar se është e nevojshme të ftohet për deklarim eksperti, i cili kishte përpiluar raportin e hartografisë.

“Do të ftohet eksperti i hartografisë për të përcaktuar lokacionin e të pandehurit në kohën e kryerjes së veprës penale dhe sipas nevojës, pas dëgjimit të ekspertit do të dalim edhe në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar gjykatësi Sharraxhiu.

Seanca e radhës është caktuar më 11 mars 2020 në ora 10:00.

Ndryshe, në seancën fillestare të 17 gushtit 2018, Binak Panxha ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën që i vihet në barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2017, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Binak Panxha akuzohet se më 21 korrik 2017, rreth orës 21:30, në pyllin e fshatit Kosuriq, ka privuar nga jeta tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz Berisha dhe Arsim Berisha.

Në aktakuzë përshkruhet se deri te momenti kritik ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve për shkak të prerjes së pyllit, pronë e familjes së të pandehurit.

Siç thuhet në aktakuzë, në orën 21:00 të natës kritike, tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berisha, së bashku me dëshmitarin Jetlir Gashi, ishin nisur me dy qerre me kuaj për të prerë drurë në pyllin e të pandehurit.

“I lënë qerret me kuaj buzë rrugës dhe dëshmitari Jetlir së bashku me Ramizin hynë në pyll dhe pasi nuk vërejnë asgjë, Ramizi i thotë Jetlirit shko merre kalin me qerre se bashku me Arsimin dhe të fillojmë me pre dru”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, pasi dëshmitari Gashi, ishte nisur për ta thirr tani të ndjerin, kishte dëgjuar atë duke biseduar me dikë.

Në atë moment, sipas aktakuzës, i pandehuri Binak Panxha me armë automatike shkrep tre fishekë dhe Arsim Berisha niset në drejtim të vëllait të tij Ramiz Berisha dhe përsëri i akuzuari gjuan pandërprerë në drejtim të tyre, duke i privuar nga jeta tani të ndjerët dhe pastaj trupat e tyre i largon nga pylli, duke i tërhequr përafërsisht 61 metra nga vendi i ngjarjes.