Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallë fajtor dhe e ka dënuar me 15 vjet burgim të akuzuarin për krime lufte Sllavisha Filiq. Ky gjykim është zhvilluar në mungesë.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sllavisha Filiq ngarkohet se si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku me dy zyrtarë tjerë, e kishin dërguar në objektin e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë mjekun Hafir Shala, ku iu ishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe se nga ajo ditë më nuk dihet për fatin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësja Namani-Hajra tha se dënimi me burgim do të ekzekutohet kur aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
I pandehuri obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës penale në shumën prej 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Ndryshe, më 15 shtator 2023 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj Sllavisha Filiq, i cili ngarkohet se si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku me dy zyrtarë tjerë të paidentifikuar deri më tani nga organet tona, më 10 prill 1998 kishin ndaluar një veturë në Drenas, ku gjendeshin Hetem Sinani, Shaban Haziraj dhe Hafir Shala, ku të njëjtit sipas aktakuzës nga këta pjestarë ishin legjitimuar.
Aktakuza thotë se i akuzuari Filiq me dy zyrtarë tjerë (të tre të veshur me rroba civile) kishin marrë doktorin Shala dhe e kishin dërguar në objektin e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku mjeku Shala iu kishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe se nga ajo ditë më nuk dihet për fatin e tij.
Andaj, për këto veprime Filiq ngarkohej me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë.