Të martën, një gjykatës federal ndaloi administratën Trump të vendosë Gardën Kombëtare në Kaliforni për të luftuar krimin.
Gjykatësi i Qarkut të SHBA-ve, Charles Breyer, me seli në San Francisko, lëshoi urdhrin në Gjykatën Federale të Qarkut Verior të Kalifornisë, sipas një dokumenti gjyqësor.
Megjithatë, ai e shtyu zbatimin e vendimit deri më 12 shtator. Administrata Trump pritet të apelojë, raporton Reuters.
Në qershor, Trump kishte urdhëruar vendosjen e 4,000 pjesëtarëve të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsave aktivë në Los Anxhelos, si përgjigje ndaj protestave kundër bastisjeve masive të emigracionit në qytetin e dytë më të madh të SHBA-ve.
Ky vendim rriti tensionet në qytet dhe u kritikua ashpër nga demokratët, të cilët akuzuan Trump-in për përdorim të ushtrisë me qëllim shtypjen e opozitës ndaj politikave të tij të ashpra për emigracionin.
Çështja ngriti pyetje të reja ligjore mbi autoritetin presidencial.
Padia, e ngritur nga guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom – një demokrat i njohur – pretendonte se vendosja e trupave shkelte normat e vjetra të SHBA-ve si dhe ligjin e njohur si “Aktit i Posse Comitatus”, i cili kufizon në mënyrë të rreptë përdorimin e ushtrisë federale për zbatimin e ligjit brenda vendit.
Në vendimin e tij, gjykatësi Breyer deklaroi se provat gjatë gjykimit treguan se administrata Trump përdori trupa ushtarake dhe mjete luftarake për të krijuar perimetra sigurie, për të bllokuar rrugë dhe për të kontrolluar turmat.
“Me pak fjalë, të paditurit kanë shkelur Aktin e Posse Comitatus,” shkroi Breyer.
Administrata Trump kundërshtoi, duke argumentuar se Kushtetuta e SHBA-ve i jep presidentit të drejtën për të përdorur trupa ushtarake për të mbrojtur personelin dhe pronën federale, si një përjashtim nga ky ligj.
Në qershor, Breyer kishte gjetur se vendosja e Gardës Kombëtare nga ana e Trump në Kaliforni ishte, me shumë gjasë, e paligjshme dhe kishte urdhëruar rikthimin e trupave nën kontrollin e guvernatorit Newsom. Megjithatë, vendimi u rrëzua një javë më vonë nga Gjykata e Apelit e Qarkut të 9-të të SHBA-ve.
Gjyqi tre-ditor që përfundoi më 13 gusht shqyrtoi veprimet e ushtrisë pasi ajo ishte vendosur për të ndihmuar oficerët federalë dhe agjentët e emigracionit.
Avokatët nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Kalifornisë u përpoqën të tregonin se trupat kishin kryer funksione policore – përfshirë krijimin e perimetrave sigurie dhe ndalimin e dy personave – dhe se nuk kishte pasur nevojë për praninë e tyre. Ata paralajmëruan se një vendim në favor të administratës Trump do të përbënte një ndryshim të gjerë dhe të paprecedentë në rolin e ushtrisë në shoqërinë amerikane.
Nga ana tjetër, avokatët e administratës u përpoqën të argumentonin se trupat kishin vepruar vetëm për të mbrojtur agjentët federalë nga kërcënimet dhe se kishin qëndruar brenda kufijve ligjorë.
Gjykatësi Breyer shprehu shqetësim për mungesën e kufijve të qartë në diskrecionin e liderëve ushtarakë për të vendosur kur është e nevojshme mbrojtja.
Në kohën kur u zhvillua gjyqi, administrata kishte ende disa qindra ushtarë të vendosur në Los Anxhelos, edhe pse protestat kishin rënë prej kohësh. Sipas provave të paraqitura, trupat po përdoreshin për siguri gjatë bastisjeve në fermat e marihuanës jashtë qytetit, si dhe për të treguar forcë në një park të njohur gjatë një operacioni nga agjentët e emigracionit.
Trump gjithashtu kishte dërguar Gardën Kombëtare për të patrulluar në Uashington D.C., qytet që ai e kishte përshkruar si të mbushur me krim. Vendimi i gjykatësit Breyer nuk pritet të ndikojë në atë rast, pasi presidenti ka më shumë kompetenca për të përdorur Gardën Kombëtare në kryeqytet sesa në shtetet e tjera.