Gjykata Supreme e Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë pas deklaratave të fundit të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, gjatë mbledhjes së KQZ-së më 1 shtator 2025.
Gjatë mbledhjes, Krasniqi përdori gjuhë fyese ndaj gjyqtarit të Gjykatës Supreme, Zenel Leku, duke e krahasuar atë me kryetarin e Listës Serbe, Zlatan Elek, në një sulm që Gjykata e konsideron të papranueshëm dhe të dëmshëm për integritetin e sistemit të drejtësisë.
Në reagimin e saj zyrtar, Gjykata Supreme dënoi ashpër deklaratat e Krasniqit, duke theksuar se sulmet personale dhe shpikja e teorive konspirative për gjyqtarët përbëjnë një tentativë për të dëmtuar figurën e tyre dhe për të minuar besimin publik në drejtësi.
“Gjykata Supreme dënon ashpër këtë gjuhë reagimi të paprecedent dhe konsideron se deklaratat e tilla, përveçse janë të papranueshme, përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit të një gjyqtari dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë. Lakimi dhe krahasimi i emrit të gjyqtarit Zenel Leku është tentativë e ulët për ta dëmtuar figurën e tij dhe për ta minuar besimin në drejtësi.
Shpikja e teorive konspirative, etiketimet dhe përpjekjet për denigrim të figurave të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme në një institucion si KQZ, ku pritet maturi, qartësi dhe respekt, tregon mungesë të kulturës politike. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për përfaqësues që i respektojnë institucionet, jo të tillë që përpiqen t’i delegjitimojnë ato, me akuza pa fakte”, thuhet në reagim.
Në reagimin e gjykatës tutje thuhet se, në një shtet demokratik, është gjyqësori ai që garanton barazinë dhe drejtësinë zgjedhore derisa përpjekjet për ta diskredituar një gjyqtar të instancës më të lartë gjyqësore, janë të dëmshme e të papranueshme, për gjykatën, gjyqtarin dhe gjithë shoqërinë.
“Gjykata Supreme, vendimet e saj i bazon në Kushtetutë dhe ligj, dhe asnjëherë nuk do të jetë në shërbim të politikave ditore”, thuhet më tej.
Sulmi i Krasniqit erdhi pas vendimit të Gjykatës Supreme për të rrëzuar ankesën e LVV-së, e cila kërkonte bllokimin e Listës Serbe në zgjedhjet e 12 tetorit.
Pavarësisht thirrjeve të kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, për të ruajtur qetësinë dhe për të sjellë fakte, Krasniqi vazhdoi me akuza ndaj gjyqtarit Leku, duke aluduar për interesa të dyshimta dhe lidhje me Listën Serbe.