Gjykata Speciale e ka rrëzuar mocionin e përbashkët të ekipeve mbrojtjese të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të rrëzuar pjesë të caktuara në aktakuzën ndaj tyre për krime të pretenduara të luftës.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith tha se nuk kishte “bazë ligjore” për ta rrëzuar ndonjë prej pjesëve të aktakuzës, raporton Gazeta Express.
“Trupi gjykues rrëzon mocionin e mbrojtjes, sipas rregullës 130, në tërësinë e vet”, tha ai.
Gjykatësi tha se “edhe në qoftëse do të konsideronte në themel dhe në qoftë se këto kundërshtime të mbrojtjes do të konsideroheshin të suksesshme, mocioni i mbrojtjes nuk do të çonte në rrëzimin e asnjë prej pikave të aktakuzës”.
Smith tha se trupi gjykues “nuk është bindur që ka autoritet për të rrëzuar pjesë të akuzave”.
Vendimi për këtë mocion pritej ta përcaktonte edhe rrjedhën e vazhdimit të këtij procesi gjyqësor.
Seanca po vazhdon me çështje të tjera gjyqësore duke u trajtuar.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët sot po paraqiten fizikisht në këtë gjykatë, kishin kohë deri më 12 qershor për ta dorëzuar mocionin. Zyra e Prokurorit të Specializuar pati kohë deri më 7 korrik që të përgjigjej.
Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në një proces të stërzgjatur dhe shumë të kritikuar gjyqësor.