Seanca gjyqësore ndaj Ilir Metës, që ishte planifikuar për javën e ardhshme, është shtyrë për shkak të kërkesës së mbrojtjes ligjore të ish-presidentit. Kjo kërkesë ishte që çështja të shqyrtohej nga gjyqtari i hetimit paraprak, Erjon Çela, dhe jo nga gjyqtari i gatshëm, Erjon Bani.
Kujtim Cakrani, mbrojtësi i Metës, u shpreh se kërkoi nga gjyqtari Bani të shpallte moskompetencën për shqyrtimin e kësaj kërkese, dhe kërkesa u pranua. Si rezultat, seanca u shty për javën e ardhshme, për të mundësuar që gjyqtari Erjon Çela të kthehet nga pushimet vjetore.
Në seancën e sotme ishte i pranishëm prokurori i gatshëm, Alfred Shehu, ndërkohë që mungonin tre prokurorët e çështjes: Altin Dumani, Sotir Kllapi dhe Arben Kraja. Cakrani shprehu bindjen se Ilir Meta do të lirohet, pasi sipas tij nuk ka arsye që ish-presidenti të vazhdojë të qëndrojë në masën e “arrestit në burg”, tani që dosja prej 60 mijë faqesh është përmbyllur nga prokuroria.