Gjykata serbe e shpall të pafajshëm ish-komandantin e ushtrisë së Republikës Sërpska për krime në Srebrenicë - Gazeta Express
string(108) "gjykata-serbe-e-shpall-te-pafajshem-ish-komandantin-e-ushtrise-se-republikes-serpska-per-krime-ne-srebrenice"

Lajme

Gazeta Express

01/07/2025 15:52

Gjykata serbe e shpall të pafajshëm ish-komandantin e ushtrisë së Republikës Sërpska për krime në Srebrenicë

Lajme

Gazeta Express

01/07/2025 15:52

Gjykata e Lartë në Beograd e ka shpallur të pafajshëm ish-komandantin e Korpusit të Drinës të Ushtrisë së Republikës Sërpska (VRS), Milenko Zhivanoviq, për akuzat për krime lufte kundër popullatës civile në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995.

Gjykata e shpalli atë të pafajshëm në shkallën e parë në një aktgjykim të martën, duke e liruar nga akuza se kishte urdhëruar zhvendosjen e detyruar të popullsisë boshnjake nga zona e mbrojtur e Srebrenicës.

Prokuroria ka paralajmëruar se do të ankohet ndaj këtij vendimi.

Në arsyetimin e aktgjykimit, gjyqtarja deklaroi se Zhivanoviq, si komandant, u kishte dhënë detyra njësive të Korpusit të Drinës, por sipas saj, asnjë prej këtyre detyrave nuk lidhej me dëbimin e popullsisë civile boshnjake, por kishin të bënin me veprime luftarake kundër njësive të palës kundërshtare.

Prokuroria kishte kërkuar dënim me pesë vjet burgim për Zhivanoviqin – që është minimumi i paraparë me ligj.

Ndër të tjera, aktakuza e ngarkonte atë se, në mars të vitit 1995, kishte lëshuar një urdhër ku thuhej se “me veprime të përditshme të planifikuara dhe të menduara luftarake duhet të krijohen kushte të pasigurisë totale, të padurueshmërisë dhe të pashpresës për vazhdimin e jetës së banorëve në Srebrenicë dhe Zhepë”.

Aktakuza e ngarkonte atë gjithashtu se, më 12 korrik 1995, kishte urdhëruar sigurimin e autobusëve për evakuimin nga enklava e Srebrenicës, duke kërkuar nga Shtabi i Përgjithshëm i VRS-së miratimin për përdorimin e karburantit për 50 autobusë që do të angazhoheshin.

Forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska, gjatë ofensivës kundër Srebrenicës – zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara – në korrik të vitit 1995 kryen gjenocid duke vrarë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë.

Gjatë gjithë procesit gjyqësor në Serbi, Milenko Zhivanoviq u mbrojt në liri.

Aktakuza edhe në Bosnje e Hercegovinë

Prokuroria për krime lufte në Serbi ngriti aktakuzën kundër Zhivanoviqit në dhjetor 2021, vetëm dy javë pasi ai ishte akuzuar edhe nga Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës për krime kundër njerëzimit në zonën e Srebrenicës dhe Zhepës.

Sipas aktakuzës në Bosnje, Zhivanoviq akuzohet se nga marsi deri në mesin e korrikut 1995 kishte bllokuar zonën e mbrojtur të Srebrenicës, kishte penguar furnizimin me ndihma, si dhe kishte urdhëruar sulme me artileri ndaj civilëve dhe objekteve civile në Srebrenicë, me qëllim krijimin e kushteve të padurueshme për jetesë dhe detyrimin e popullsisë për të braktisur shtëpitë e tyre.

Ai akuzohet gjithashtu për mobilizimin e mjeteve për dëbimin e detyruar të civilëve nga Srebrenica dhe për transportimin e burrave dhe djemve të kapur, të cilët ishin ndarë me forcë për t’u burgosur dhe më pas për t’u vrarë.

Megjithëse gjykatat ndërkombëtare dhe ato rajonale kanë cilësuar masakrën e Srebrenicës si gjenocid apo krim kundër njerëzimit, Prokuroria e Serbisë e ngarkoi Zhivanoviqin vetëm për krime lufte kundër popullatës civile, me arsyetimin se “është e vështirë të provohet qëllimi specifik që kërkohet për kualifikimin si gjenocid”.

Shteti serb vazhdon të mos e njohë gjenocidin e kryer në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, ndërsa Zhivanoviq është një nga të shumtët që kanë ikur nga Bosnja dhe qëndrojnë në Serbi.

Para Gjykatës së Lartë në Beograd po zhvillohet edhe një proces tjetër lidhur me Srebrenicën.

Bëhet fjalë për gjykimin lidhur me vrasjen e 1.313 civilëve boshnjakë në Kravicë, i cili ka nisur në fund të vitit 2016 dhe, edhe pas më shumë se tetë vjetësh, ndodhet ende në fazën e administrimit të provave.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër tetë pjesëtarëve të Brigadës Speciale të Policisë së RS-së për krime lufte kundër popullatës civile, edhe pse gjykatat në Bosnje dhe në Hagë kanë dhënë vendime që e cilësojnë këtë krim si gjenocid apo krim kundër njerëzimit.

Të gjithë të akuzuarit po mbrohen në liri. /REL