Gjykata Kushtetuese s'i pajton partitë për konstituimin e Kuvendit, s'pritet rezultat as sot - Gazeta Express
string(89) "gjykata-kushtetuese-si-pajton-partite-per-konstituimin-e-kuvendit-spritet-rezultat-as-sot"

Lajme

Gazeta Express

29/06/2025 7:43

Gjykata Kushtetuese s’i pajton partitë për konstituimin e Kuvendit, s’pritet rezultat as sot

Lajme

Gazeta Express

29/06/2025 7:43

Tridhjetetetë “përpjekje” për konstituimin e Kuvendit kanë dështuar që prej 15 prillit dhe as nga “përpjekja” e tridhjetenëntë sot në 11:00 nuk pritet ndonjë ndryshim.

Krerët e partive politike në Kosovë nuk kanë arritur të merren vesh për rrugën e daljes nga bllokada pas një takimi të shtunën që zgjati mbi dy orë.

Situatën duket se nuk e ka ndryshuar as një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese i shpallur të enjten pasdite, i cili i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin. Ajo vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të mërkurën se PDK-ja dhe LDK-ja “e kanë keqlexuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe po e keqinterpretojnë atë publikisht”.

Ai tregoi se i mban qëndrimet e njëjta, ndonëse përmendi dy opsione kompromisi.

“Kompromisi i parë ishte ai që e ka thënë edhe kandidatja jonë e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se në rast të votimit të fshehtë nuk i merr së paku 61 vota, tërhiqet nga kandidatura. Ajo këtë e ka bërë njëanshëm, por unë e respektoj vendimin e saj. Ajo nuk dëshiron të votohet për dy herë me votim të fshehtë”.

“Kompromisi i dytë ishte që ta bëjmë një marrëveshje politike lidhur me nenin 67 të Kushtetutës, e që është marrëveshje në paketë për kryetarin dhe nënkryetarët, dhe pastaj nëse nuk e duan kurrqysh votimin e fshehtë, le t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komision për votim të fshehtë, të cilin mund ta rrëzojmë me votë, sepse procesi ka mbetur në gjysmë. Ne aty e kemi deleguar Hekuran Muratin, le t’i delegojnë edhe tjerët, edhe pastaj e rrëzojmë, që më pas kryetarja dhe nënkryetarët të votohen në paketë”, tha ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se “përkundër faktit që situata nuk është e njëjtë pas aktgjykimit, Kurti është i njëjtë, dhe qëndrimet e tij janë të njëjta”.

“Ne kërkuam shumë qartë dhe shumë drejtë me aktgjykim që të mos vazhdojmë me arbitraritetin e 20 seancave të fundit me kërkesën për komision për votim të fshehtë, por ta kthejnë pikën për votim të hapur për kandidaten. Është çështje e tyre se a e ndërrojnë emrin. Ata e dinë ofertën që ua kemi dhënë nga fillimi, këdo që nuk ka qenë ministër apo ministre edhe mund ta votojmë. Duket se kjo nuk do të ndodhë”, tha ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha gjithashtu se Kurti nuk ka ndërruar qëndrim.

“Morëm pjesë me vullnetin më të mirë për të gjetur zgjidhje, ndonëse në të njëjtën kohë me drojën më të madhe se i gjithë ky takim ishte më tepër farsë publike sesa substancial. Fatkeqësisht droja jonë u vërtetua”, ku shpreh ai.

Lëvizja nga kjo gjendje, ai tha se po bëhet e pamundur nga “insistimi në pozicionet paraprake”.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, tha se LVV-ja s’parnoi asnjë propozim të ofruar nga partitë tjera.

“Nëse edhe nesër i vazhdojmë praktikat e njëjta, ata po e shkelin me qëllim Kushtetutën”, tha ajo, duke insistuar që votimi të bëhet nënyrë të hapur.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se kjo zgjidhet vetëm me marrëveshje politike.

Lëvizja Vetëvendosje po e hedh në votim çdo dy ditë një propozim për formimin e një komisioni për votim të fshehtë, i cili nuk po i merr votat e nevojshme. PDK-ja ka argumentuar të mërkurën se ky akgjykim e përjashton votimin e fshehtë, por në LVV thonë se ai e lejon këtë mënyrë.

Përpjekja e partisë e cila ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit për ta bërë votimin të fshehtë erdhi pasi Albulena Haxhiu, kandidatja e tyre për kryeparlamentare, dështoi në mënyrë të përsëritur që t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.