Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar të hënën aktgjykimin e plotë lidhur me bllokadën në Kuvend dhe i njëjti është publikuar edhe në gazetën zyrtare, duke i hapur rrugët kështu vazhdimit të seancës konstituive.
Kushtetuesja ka dhënë arsyetimet se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve, afat që nis të rrjedhë nga e marta.
Sipas aktgjykimit, kalimi në votim të fshehtë për të cilin insistonte Lëvizja Vetëvendosje nuk është mbështetur edhe nga subjektet tjera, rrjedhimisht kryesuesi është urdhëruar që nga seanca e radhës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës – procedimi i votimit të kryeparlamentarit.
Kushtetuesja e ka sqaruar edhe kufizimin në vetëm tri herë të votimit të kandidatit për kryeparlamentar, pikë për të cilën Vetëvendosje e kishte akuzuar se shpiku normë të re.
“Në këtë kontekst, Gjykata konsideron që propozimi i vazhdueshëm për votim të kandidatit/es së njëjtë për Kryetar/e të Kuvendit nga ana e grupit më të madh parlamentar nuk duhet të shërbejë si mekanizëm i bllokimit që do të pamundësonte arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve. Për këtë qëllim, Gjykata vlerëson që përcaktimi i një mekanizmi debllokues për propozimin e kandidati/es për Kryetar/e të Kuvendit konsiderohet si i domosdoshëm dhe në mënyrë thelbësore do t’i shërbente përmbushjes së detyrimit kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe fillimin e funksionimit të tij si organ përfaqësuesi i sovranit. Në dritën e këtij elaborimi, Gjykata vlerëson që në rast të dështimit të arritjes së shumicës së votave të të gjithë deputetëve për zgjedhjen e Kryetarit/es të Kuvendit, votimi i kandidatit/es të propozuar për Kryetar/e të Kuvendit mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në aktgjykim.
Këtë konstatim Gjykata e ka dhënë duke marrë shembull zgjedhjen e udhëheqësve të institucioneve tjera.
“Gjykata këtë konstatim e ndërlidh edhe me përcaktimet kushtetuese dhe ligjore lidhur me votimin e krerëve të institucioneve të tjera nga ana e Kuvendit (shih, nenin 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës dhe nenin 9 (Zgjedhja e Avokatit të Popullit) të Ligjit Nr.05/L019 për Avokatin e Popullit), proces i cili zhvillohet brenda një afati të përcaktuar dhe përmes një numri të arsyeshëm të raundeve të votimit. Prandaj, Gjykata vlerëson që kufizimi i mundësisë së votimit të të njëjtit/es kandidat/e për Kryetar/e të Kuvendit deri në 3 (tre) herë konsiderohet si një mekanizëm dhe mundësi që deputetët e zgjedhur, në frymën e bashkëpunimit konstruktiv, në frymën e ushtrimit të mandatit të tyre kushtetues sipas përcaktimeve të Kushtetutës të arrijnë që realizojnë detyrimet e tyre kushtetuese për zgjedhjen e Kryetarit/es të Kuvendit”, thuhet tutje në aktgjykim.
Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin paraprak, atë 26 qershorit dhe rrjedhimisht të gjitha vazhdimet e seancës të mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik i ka shpallur të pavlefshme.
Por Kushtetuesja në Aktgjykim nuk i përmend pasojat e mundshme juridike, nëse deputetët nuk e konstatojnë Kuvendin brenda afatit të përcaktuar.
Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e plotë po ashtu ka njoftuar se më 7 gusht gjyqtari Radomir Laban, kishte kërkuar të përjashtohej nga vendimmarrja në lëndët e dorëzuara nga PDK-ja dhe LDK-ja të cilat Kushtetuesja i ka bashkuar, si dhe në atë të dorëzuar nga presidentja Osmani.
Për Labanin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte mbajtur një konferencë për media ku kishte deklaruar se institucionet e sigurisë kanë konsideruar që përbën rrezik për rendin kushtetues të Kosovës. Për këtë arsye, ajo kishte vendosur ta tërheqë kërkesën për interpretim nga Kushtetuesja.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...