Gjykata Kushtetuese e Rumanisë ka rrëzuar unanimisht kërkesën e kandidatit të ekstremit të djathtë, George Simion, për të anuluar zgjedhjet presidenciale të së dielës, duke i cilësuar pretendimet për ndërhyrje të huaj si të pabazuara.
“Pas shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese rrëzoi njëzëri kërkesën… si të pabazuar,” thuhet në deklaratën zyrtare të së enjtes, duke shtuar se vendimi është përfundimtar dhe arsyetimi i plotë do të publikohet në një moment të mëvonshëm, raporton Reuters.
Simion, një figurë ultranacionaliste pro-Trump dhe kritik ndaj BE-së, kishte pretenduar ndërhyrje nga Franca dhe Moldavia në favor të kundërshtarit të tij, Nicușor Dan, i cili fitoi me 53.6% të votave.
Fillimisht ai e kishte pranuar humbjen, por dy ditë më pas kërkoi anulimin e rezultatit, duke e cilësuar vendimin e gjykatës si vazhdim i “grushtit të shtetit” dhe u bëri thirrje mbështetësve të “vazhdojnë luftën”.
“Gjykata Kushtetuese ka vazhduar grushtin e shtetit! Gjithçka që na mbetet është të luftojmë! Ju bëj thirrje të bashkoheni me mua, sot dhe në javët në vijim,” ka shkruar Simion në rrjetet sociale pas shpalljes së vendimit të gjykatës.
Kujtojmë së zgjedhjet në Rumani, u përsëritën pas anulimit të tentativës së parë në nëntor, për shkak të shkeljeve në financim të fushatës dhe ndërhyrjeve ruse.