Lëvizja Vetëvendosje, partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, në vazhdimet e radhës të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës nuk do të mund më të hedhë në propozim të njëjtin kandidat më shumë se tri herë dhe këtë do t’i duhet ta bëjë në votim të hapur.
Në aktgjykimin e fundit për bllokadën në Kuvend, të cilin Kushtetuesja e publikoi sot, deputetët janë të detyruar ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë, do të ketë të drejtën për të propozuar kandidatin/en për postin e kryeparlamentar, por krahas kësaj të drejte, Kushtetuesja tha se ajo është e ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me arritjen e shumicës së votave të deputetëve.
Në këtë drejtim, Kushtetuesja në aktgjykim tha se kjo e drejtë përbën njëkohësisht edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm dhe se kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit.
“Ndërsa, në kuptim të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit brenda një afati 30 (tridhjetë) ditor, Gjykata rithekson që drejta për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit është e ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Gjykata tashmë, ka theksuar që kjo e drejtë për propozimin e kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit përbën njëkohësisht edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm dhe se kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit (shih, paragrafin 130 të Aktgjykimit në rastin KO124/25)”, thuhet në pikën 145 të aktgjykimit./Express/