Pas më shumë se katër orësh ka dalë nga gjykata Ramadan Morina, i cili u arrestua të martën nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999 në Kosovë.
Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj tij ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
Prokuroria Speciale e Kosovës po e heton Morinën se mori pjesë në masakrimin e 34 civilëve shqiptarë në një fshat të Malishevës.
“R.M. dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, më 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria tha se kundër të dyshuarit ka siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve të ngjarjes dhe të të mbijetuarve.
Pamjet: T7