Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR) ka vendosur të mërkurën se Rusia ka kryer shkelje të shumta dhe serioze të të drejtave të njeriut në Ukrainë që nga viti 2014, përfshirë mbështetjen ndaj separatistëve anti-Kiev në lindje të vendit, rrëzimin e avionit të Malaysia Airlines MH17 dhe pushtimin e vitit 2022.
Sipas The Moskow Times, në vendim, paneli prej 17 gjyqtarësh ka konstatuar se Rusia ishte përgjegjëse për “vrasje jashtë gjyqit të civilëve dhe ushtarëve ukrainas” jashtë zonave luftarake, si dhe për “tortura”, “punë të detyruar”, “ndalim të paligjshëm dhe arbitrar” dhe plaçkitje.
Bëhet e ditur se gjykata gjithashtu ka gjetur prova që Moska kishte transferuar fëmijë ukrainas drejt territorit rus dhe në shumë raste kishte organizuar birësimin e tyre atje, gjë që përbën shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijës.
Gjykata ka urdhëruar Rusinë që “pa vonesë” të lirojë ose të kthejë në mënyrë të sigurt të gjithë civilët e ndaluar në mënyrë të paligjshme në territoret e pushtuara ukrainase. Poashtu është kërkuar që Moska të bashkëpunojë për identifikimin e fëmijëve të transferuar para shtatorit 2022 dhe të ndihmojë në ribashkimin e tyre me familjet.
Në anën tjetër, raportohet se zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar që Rusia nuk do ta njohë këtë vendim dhe e konsideron atë si “të pavlefshëm”.