string(100) "gjykata-evropiane-per-te-drejtat-e-njeriut-kerkon-nga-serbia-te-ndaloje-perdorimin-e-armeve-akustike"

Lajme

Gazeta Express

06/05/2025 7:50

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kërkon nga Serbia të ndalojë përdorimin e ‘armëve akustike’

Lajme

Gazeta Express

06/05/2025 7:50

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka kërkuar nga Serbia të ndalojë përdorimin e “armëve akustike” ose pajisjeve të ngjashme për kontrollin e turmave, pas akuzave se një pajisje e tillë u përdor gjatë një proteste të madhe kundër qeverisë në Beograd më 15 mars 2025.

Gjykata nuk ka konfirmuar përdorimin e një pajisjeje akustike, por ka lëshuar masa të përkohshme në përgjigje të ankesave nga 47 shtetas serbë dhe raporte nga deri në 4,000 të tjerë që përjetuan simptoma si frikë, të përziera dhe probleme me dëgjimin gjatë protestës.

Një “armë akustike”, për të cilën dyshohet se ishte një top akustik, shkaktoi panik, ankth, marrje mendsh, humbje dëgjimi dhe të përziera, duke detyruar shumë demonstrues të kërkojnë ndihmë mjekësore. Pajisja u aktivizua gjatë 15 minutave heshtje në nder të 15 viktimave të shembjes së mbulesës në stacionin hekurudhor në Novi Sad (ndërkohë ka vdekur edhe një tjetër person), duke përforcuar efektin e armës akustike.

“Gjykata e mori këtë masë sepse vlerësoi se ekziston një rrezik i menjëhershëm i përdorimit të përsëritur të pajisjeve akustike në Serbi në të ardhmen,” tha për El Periodiko Vladica Ilic nga Qendra për të Drejtat e Njeriut në Beograd, një nga organizatat që paraqiti kërkesën në Gjykatën Evropiane, së bashku me Crta, FemPlatz, YUCOM, Iniciativën A11 dhe Iniciativat Qytetare ,raporton N1

Në një reagim të mëvonshëm, Ministri i Brendshëm Ivica Daciq pranoi se “një armë e tillë ekziston, por nuk përdoret.” Ai gjithashtu demonstroi një pajisje që emetonte mesazhin: “Ky është një test i LRAD (Pajisja Akustike me Rreze të Gjatë).”

Gjykata ka kërkuar nga palët që deri më 27 maj të paraqesin një padi zyrtare në mënyrë që çështja të kalojë në fazën tjetër të procesit.

Reagimi i Gjykatës Evropiane pasoi një iniciativë të quajtur “Tur për në Strasburg”, të organizuar nga studentë nga Serbia. Ata kaluan rreth 1,500 kilometra me biçikleta deri në Strasburg për të tërhequr vëmendjen ndaj pasivitetit institucional pas shembjes së mbulesës në Novi Sad.

Studentët dhe qytetarët e Serbisë kanë protestuar për më shumë se gjashtë muaj kundër qeverisë, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në Novi Sad. Shumë prej tyre fajësojnë korrupsionin, i cili, sipas mendimit të tyre, ka çuar në neglizhencë të rregulloreve të sigurisë dhe papërgjegjshmëri gjatë rinovimit të ndërtesës së stacionit hekurudhor.