Gjykata e Lartë ka rrëzuar ankimin e bërë nga trafikanti i drogës dhe ilaçeve, indiani Nitin Mishra dhe pritet që të ekstradohet drejt SHBA.
31-vjeçari u arrestua në tetor të vitit të kaluar, i kërkuar ndërkombëtarisht dhe i akuzuar për trafik droge.
Shtetasi indian u arrestua në tetor 2022 sapo zbriti në Aeroportin e Rinasit. Nitin Mishra ishte duke komunikuar me një agjent të DEA-s amerikane për një ngarkesë droge, duke menduar se po komunikonte me një trafikant tjetër.
I riu dyshohet se e nisi trafikun prej nëntorit 2019 duke operuar nga qyteza e lindjes në Indi e më pas duke menaxhuar disa shpërndarës në SHBA. Gjatë këtij operacioni në Amerikë u bllokuan gati 30 mijë tableta me zolpidemi, lorazepam, tapentadol e të tjera.
DEA bëhet me dije se ra në gjurmët e Mishra që e identifikoi si koordinator të dërgesave me porositë për barna analoge të fentanylit pa recetë mjeku dhe drogë e për këtë nisi një operacion të kontrolluar kundërzbulimi me një hetues që iu prezantua si trafikant.