Ish-Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, është arrestuar pasi gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ai akuzohet për organizim të grushtit të shtetit.
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Brazilit që lëshoi urdhrin e arrestit, Alexandre de Moraes, tha se masa u dha për shkak të shkeljes së masave kufizuese nga ana e Bolsonaros.
Përveç arrestit shtëpiak, ish-Presidentit Bolsonaro i ndalohet edhe përdorimi i celularit dhe vizitat në banesë nga persona të tjerë, përveç avokatëve dhe atyre që janë autorizuar nga gjykata.
Avokatët e Bolsonaros thanë në një deklaratë se do ta apelonin vendimin, duke argumentuar se ish-presidenti nuk kishte shkelur asnjë urdhër gjykate.
Jair Bolsonaro u arrestua mbrëmjen e së hënës në rezidencën e tij në Brazilia, ku ju sekuestrua dhe celulari.
Bolsonaro është në gjyq pasi dyshohet se ka komplotuar me disa persona të tjerë një grusht shteti për të përmbysur me dhunë humbjen e tij zgjedhore të vitit 2022 ndaj Presidentit të majtë Luiz Inacio Lula da Silva.
Presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur çështjen ndaj Bolsonaro një “gjueti shtrigash”. Për këtë arsye, ai ka vendosur edhe tarifa 50% ndaj mallrave braziliane, që hyjnë në fuqi ditën e mërkurë.
Departamenti Amerikan i Shtetit e dënoi masën e arrestit të shtëpisë, duke thënë se gjyqtari Moraes po përdorte institucionet braziliane për të heshtur opozitën dhe për të kërcënuar demokracinë.
Ish-Presidenti brazilian Jair Bolsonaro është një mbështetës i hapur i Presidentit amerikan Donald Trump.
Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, hapi vendndodhjen e saj të sapo ndërtuar në...