Gjykata e Apelit e kthen në rigjykim rastin e Muhamet Alidemajt, i akuzuar për masakrën e Izbicës - Gazeta Express
string(96) "gjykata-e-apelit-e-kthen-ne-rigjykim-rastin-e-muhamet-alidemajt-i-akuzuar-per-masakren-e-izbices"

Lajme

Gazeta Express

20/08/2025 7:29

Gjykata e Apelit e kthen në rigjykim rastin e Muhamet Alidemajt, i akuzuar për masakrën e Izbicës

Lajme

Gazeta Express

20/08/2025 7:29

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj Muhamet Alidemajt, i akuzuar për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Izbicës më 28.03.1999, të kryer nga forcat serbe.

“APROVOHET si e bazuar ankesa e mbrojtësit të akuzuarit Muhamet Alidemaj, av Millosh Deleviq,.. ANULOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Departamentin Special i datës 12.07.2024 dhe çështja kthehet në rigjykim” – thuhet në vendimin e Apelit.

Apeli ka vendosur që aktgjykimi i Themelores ndaj Ademajt në pikën III të dispozitivit të mbetet i paprekur, dhe të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në vendimin e ardhshëm nga Gjykata e Prishtinës.

Prokuroria Speciale po akuzon Muhamet Alidemajn se së bashku me ushtrinë dhe policinë serbe kishin shkuar te livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile, duke përdorur dhunë, kishin bërë ndarjen e grave dhe fëmijëve nën moshën 12-vjeç e dhunshëm i kishin detyruar që të shkojnë në Shqipëri.

Ndërsa burrat i kishin ndarë në grupe. Sipas dosjes, rreth 130 persona ishin ekzekutuar me armë automatike, ndërsa kishin arritur që të shpëtojnë vetëm 12.

Muhamet Alidemaj në korrik të vitit 2024 ishte dënuar nga Gjykata e Prishtinës me 15 vjet burg.

Ky vendim ishte marrë nga trupi gjykues i përbërë nga Vesel Ismaili – kryetar dhe anëtarët Kushtrim Shyti dhe Violeta Namani.

Kundër vendimit të Themelores ankesë kishte ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Muhamet Alidemaj, avokati Millosh Deleviq, me pretendimin se kishte pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje të ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi saksionin penal.

Avokati Deleviq kishte propozuar që Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën dhe ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar ashtu që të nxjerrë aktgjykim lirues ose të anulojë aktgjykimin dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.

Ndërsa Prokuroria e Apelit me parashtresën e datës 09.01.2025 kishte propozuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar. /Kallxo