Një aplikacion i ri i bazuar në inteligjencën artificiale po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si shkencëtarët e kuptojnë evolucionin e fluturimit dhe origjinën e zogjve.
Aplikacioni, i zhvilluar nga studiues të Universitetit të Edinburgut, është përdorur për të analizuar gjurmë këmbësh të dinosaurëve, të ruajtura në fosile mbi 200 milionë vjet të vjetra. Rezultatet kanë habitur komunitetin shkencor: disa prej këtyre gjurmëve kanë ngjashmëri “të jashtëzakonshme” me gjurmët e zogjve, si atyre të zhdukur ashtu edhe atyre modernë.
Sipas studiuesve, kjo mund të nënkuptojë se zogjtë janë shfaqur rreth 60 milionë vjet më herët nga sa besohej deri më sot.
“Ky studim është një kontribut i jashtëzakonshëm për paleontologjinë dhe ofron një mënyrë objektive, të bazuar në të dhëna, për klasifikimin e gjurmëve të dinosaurëve – një problem që ka hutuar ekspertët për më shumë se një shekull,” tha profesor Steve Brusatte, një nga autorët e studimit.
Ai shtoi se kjo qasje hap mundësi të reja për të kuptuar se si jetonin dhe lëviznin këto kafshë mbresëlënëse, si dhe për të përcaktuar më saktë se kur u shfaqën grupet kryesore, përfshirë zogjtë. “Ky sistem kompjuterik mund të ketë identifikuar zogjtë më të vjetër në botë – një përdorim fantastik dhe shumë premtues i inteligjencës artificiale,” u shpreh Brusatte.

Edhe pse gjurmët e dinosaurëve janë një burim i rëndësishëm informacioni për evolucionin, interpretimi i tyre ka qenë gjithmonë i vështirë. Deri më tani, shkencëtarët janë mbështetur kryesisht në analiza manuale, të cilat shpesh përfshijnë subjektivitet.
Për të kapërcyer këtë problem, ekipi zhvilloi një aplikacion të ri të quajtur DinoTracker, i cili përdor algoritme të avancuara për të njohur dhe klasifikuar gjurmët e dinosaurëve. Për ta trajnuar sistemin, studiuesit i ofruan aplikacionit afro 2,000 gjurmë fosile, si edhe miliona variante të simuluara që imitonin ndryshime të mundshme si shtypja apo deformimi i skajeve.
Testet kanë treguar se DinoTracker arrin të identifikojë gjurmët e dinosaurëve me rreth 90 për qind saktësi, edhe në raste të diskutueshme shkencërisht.
Një nga zbulimet më intriguese ishte ngjashmëria mes disa gjurmëve dinosaurësh dhe atyre të zogjve. Kjo, sipas studiuesve, ose tregon se zogjtë u shfaqën dhjetëra miliona vjet më herët nga sa mendohej, ose se disa dinosaurë kishin këmbë të ngjashme me ato të zogjve thjesht rastësisht.
Ekipi analizoi gjithashtu gjurmë të zbuluara në ishullin Skye në Skoci, të cilat prej vitesh kanë qenë një enigmë për shkencëtarët. Analiza e aplikacionit sugjeron se këto gjurmë mund të jenë krijuar rreth 170 milionë vjet më parë nga disa prej të afërmve më të hershëm të dinosaurëve me sqep si rosat.
Në të ardhmen, studiuesit shpresojnë se ky mjet do të ndihmojë në përmirësimin e njohurive tona për mënyrën se si dinosaurët jetonin, lëviznin dhe përhapeshin në Tokë.
Dr. Gregor Hartmann nga qendra kërkimore Helmholtz-Zentrum, bashkautor i studimit, theksoi: “Metoda jonë ofron një mënyrë të paanshme për të identifikuar variacionet në gjurmë dhe për të testuar hipoteza mbi krijuesit e tyre. Është një mjet i shkëlqyer për kërkime shkencore, edukim dhe madje edhe për punë në terren.”
Çfarë ishte “Shpërthimi Kambrian”?
Shkencëtarët kanë spekuluar prej kohësh se një rritje e madhe e oksigjenit gjatë të ashtuquajturit “Shpërthimi Kambrian” ishte vendimtare për zhvillimin e shumë formave të jetës shtazore.
Ky proces, rreth 541 milionë vjet më parë, shënoi një periudhë kur një shumëllojshmëri e madhe organizmash u shfaqën në skenën evolucionare. Para rreth 580 milionë vjetësh, shumica e organizmave ishin të thjeshtë, të përbërë nga qeliza individuale ose koloni primitive.
Në 70–80 milionë vitet pasuese, ritmi i evolucionit u përshpejtua ndjeshëm dhe diversiteti i jetës filloi të ngjajë me atë që njohim sot. Kjo periudhë përfundoi me zhdukjen Kambrian-Ordoviciane, rreth 488 milionë vjet më parë. /GazetaExpress/