Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, ka takuar në Nju Jork homologun e tij rus, Sergei Lavrov, në margjinat e sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Siç raportuan mediat serbe, ata kanë folur për “përmirësimin e bashkëpunimit dypalësh, për zhvillimet në Serbi, si dhe për situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Gjuriq ka lavdëruar marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë përkundër që BE – unionin në të cilin zyrtarisht Serbia synon të anëtarësohet – ka kritikuar vazhdimisht mbajtjen e këtyre raporteve derisa Rusia e vazhdon agresionin e saj në Ukrainë.
Gjuriq tha se Serbia është e përkushtuar “për të forcuar bashkëpunimin me Federatën Ruse” dhe theksoi se Serbia i kushton rëndësi “kontakteve të vazhdueshme në nivelet më të larta dhe të larta”, duke iu referuar takimit të fundit të dy presidentëve Vuçiq-Putin në Pekin, gjatë të cilit “u konfirmua gatishmëria për të ruajtur lidhjet serbo-ruse dhe për të zhvilluar më tej marrëdhëniet”, shkruan Danas, transmeton Gazeta Express.
Gjithashtu, Gjuriq e falënderoi Federatën Ruse për “qëndrimin e saj parimor dhe mbështetjen në mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë”, duke theksuar se “një mbështetje e tillë është jashtëzakonisht e rëndësishme në nivel dypalësh dhe veçanërisht në organizatat ndërkombëtare”.
Ai shprehu gjithashtu kënaqësinë për “konsultimet midis dy ministrive mbi bashkëpunimin brenda sistemit të OKB-së, të cilat u mbajtën dy javë më parë”.