Kryediplomati serb Marko Gjuriq ka përmendur Albin Kurtin gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Duke u bërë kinse “miqësor” ndaj shqiptarëve, para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, Gjuriq tha se Serbia nuk është në konflikt me ta por me “regjimin” e Kurtit.
“Ne përballemi me lëvizjet dhe politikat e regjimit të Albin Kurtit, jo me popullin shqiptar”, tha Gjuriq.
Tutje, kryediplomati serb bëri edhe një deklaratë me gjasë të destinuar vetëm për të nxitur debate dhe për ta ndezur fushatën elektorale në Kosovë.
“Ne i kuptojmë dëshirat tuaja për paqe dhe prosperitet, ashtu siç i kuptojmë dëshirat e komunitetit serb. Ju ftojmë të refuzoni politikën e ndarjes dhe konfliktit dhe të bashkoheni me ne në kërkimin e një të ardhmeje të bazuar në respektin reciprok, sigurinë dhe bashkëpunimin”, tha ai.
“Albin Kurti u bë pasqyrë e regjimit kundër të cilit filloi të luftonte më shumë se një çerek shekulli më parë dhe fatkeqësisht e tejkaloi atë në disa aspekte. Ai u rrit në një shtypës, një diskriminues dhe një që na përçan. Le të imagjinojmë së bashku një të ardhme ku fëmijët shqiptarë dhe serbë mësojnë dhe rriten së bashku, ku fqinjët mbështesin njëri-tjetrin dhe ku rritja ekonomike përfiton të gjithë. Një e ardhme e tillë është e mundur, por prandaj është e nevojshme të refuzohet politika ekstremiste që thellon hendekun. Qëndroni me ne dhe kërkoni nga qeveria e Kosovës që të respektojë të gjithë qytetarët dhe të përmbushë obligimet e saj ndërkombëtare”, shtoi ai.
Deklaratën “djallëzore” të Gjuriq e ka trajtuar me seriozitet deputeti i Vetëvendosjes Dimal Basha.
Sipas tij, “𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐚 𝐩𝐨 𝐭𝐡𝐨𝐭ë 𝐯𝐞ç 𝐀𝐥𝐛𝐢𝐧 𝐊𝐮𝐫𝐭𝐢𝐧 𝐦𝐨𝐬 𝐞 𝐯𝐨𝐭𝐨𝐧𝐢, 𝐤ë𝐭𝐚 𝐭𝐣𝐞𝐫ë𝐭 𝐧𝐮𝐤 𝐢 𝐤𝐚 𝐩𝐫𝐨𝐛𝐥𝐞𝐦!”
Pas fjalëve të Gjuriqit, Basha thotë se Republikës duhet t’i prijë vetëm Albin Kurti.
“Tash besoj kjo flet mjaftueshëm se kush duhet m’i pri kësaj republike” ka shkruar Basha në facebook.