Në Maqedoninë e Veriut, gjatë një ndeshjeje basketbolli që ky shtet po zhvillonte kundër Rumanisë, shpërthyen thirrjet raciste antishqiptare.
Kërkohej zhdukja biologjike e shqiptarëve, një shtet që etnia shqiptare përbën një domethënie të konsiderueshme demografike e institucionale.
Kur këto kore raciste shpërthyen, i pranishëm ishte edhe Hristijan Mickoski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Këto thirrje nuk po konsiderohen thjesht fjalë tifozësh, por një kërcënim për shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.
Për këtë kanë reaguar edhe nga Tirana zyrtare. Elisa Spiropali, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport.
Ajo ka vlerësuar reagimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, por kërkoi reagim më të fortë.
“Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë. Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit”.
“Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik. Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit. Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen. Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje”, ka shkruar ajo në Facebook. /Gazeta Express