Gjuha e urrejtjes në mediat sociale - Gazeta Express

Gjuha e urrejtjes në mediat sociale

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

07/05/2020 10:34

Përhapja e urrejtjes në median digjitale në Kosovë përbën një emergjencë sociale të jetës sonë reale me pasoja të mëdha individuale, politike dhe sociale. Kjo gjuhë e urrejtjes i ka pasojat më të rënda te viktimat e menjëhershme dhe sjell disa efekte të dëmshme duke shkaktuar stres emocional, ndjenja poshtërimi dhe humbje të dinjitetit njerëzor dhe lë efekte të qëndrueshme në shëndetin mendor të njerëzve.

Shkruan: Lulzim Shabani

Zhvillimi i teknologjisë së informacionit dhe komunkimit ka ndikuar në shfaqjen e mediave të reja që janë zhvilluar dhe përhapur në botë për një periudhë të shkurtër kohore dhe gjithnjë e më shumë po marrin një rol udhëheqës në informimin e njerëzve në gjithë globin. Mediat tradicionale, natyrisht, ende luajnë një rol të rëndësishëm, por një numër gjithnjë në rritje i njerëzve, edhe te në në Kosovë po vendosin për tu informuar përmes këtyre mediave të reja apo bashkëkohore. Platformat e mediave sociale ofrojnë një komunikim të lirë që shpejtë mundëson secilin të arrijë shumë përdorues (lexues, ndjekës). Si pasojë, në këto platforma çdokush mund të botojë përmbajtje të cilën i interesuari për atë përmbajtje mund ta marrë atë. Këto platforma sot përfaqësojnë një revolucion transformues në shoqërinë e informacionit.

Përdoruesit gjithnjë e më shumë i përdorin këto platforma jo vetëm për të bashkëvepruar me njëri-tjetrin, por edhe për të shkëmbyer informacione. Derisa platformat e hapura nga këto sisteme ju lejojnë përdoruesëve të shprehen vetë, ekziston edhe një anë e errët e këtyre sistemeve. Këto faqe në mediat sociale janë bërë një “tokë pjellore” për të përflakur diskutime, që zakonisht polarizojnë individet dhe grupet, duke rezultuar në shumë raste të përdorimit të fyerjeve apo të një fjalori ku banaliteti dhe perversiteti nuk kanë kufinjë.

Ky potencial i madh i mediave sociale ka sjellur një sfidë të madhe sepse këto sisteme po ofrojnë hapësirë për diskurse që janë të dëmshme për disa grupe njerëzish. Kjo sfidë manifestohet me një numër të variacioneve, përfshirë ngacmimin, përmbajtjen fyese dhe sidomos gjuhën e urrejtjes, temë kjo aq e debatuar edhe në shoqërinë tonë.

Edhe pse nuk ka një përkufizim të dakorduar shkencor, gjuha e urrejtjes mund të përshkruhet si një fjalim i dhunshëm dhe dashakeq drejtuar një individi ose grupi për shkak të karakteristikave të tyre aktuale ose të perceptuara që shpreh një sjellje diskriminuese, kundërshtuese, kërcënuese dhe paragjykime ndaj atyre karakteristikave përfshirë gjininë, racën, fenë, ngjyrën lëkurën, origjinën kombëtare, ose orientimin seksual. Qëllimi i një dhune të tillë është të lëndojë, dehumanizojë, abuzojë, degradojë dhe viktimizojë grupet e synuara dhe të nxisë pandjeshmëri dhe brutalitet kundër tyre. Kjo gjuhë aq e vrazhtë, e ashpër, po bëhet pjesë e mediave sociale edhe në tregun medial digjital në Kosovë.

Studimi i gjuhës të urrejtjes në internet ka katër dimensione: objektivat kryesore të gjuhës së urrejtjes, lidhja me anonimitetin apo identiteti i urrejtësve, gjeografia e gjuhës së urrejtjes dhe konteksti i gjuhës së urrejtjes.

Në mënyrë të veçantë, autoritetet e shumë vendeve sot po e njohin gjuhën e urrejtjes si një problem serioz, sepse është vështirë për të krijuar barriera në internet të cilat do ta parandalonin shpërndarjen dhe reklamimin e urrejtjes. Sado të përpiqemi të ofrojmë një lloj matje sistematike dhe analizë në shkallë të gjerë studimi të gjuhës së urrejtjes në mediat sociale në internet, kjo matje del të jetë e vështirë.

Kjo gjuhë e urrejtjes i ka pasojat më të rënda te viktimat e menjëhershme dhe sjell disa efekte të dëmshme duke shkaktuar stres emocional, ndjenja poshtërimi dhe humbje të dinjitetit njerëzor, duke lënë efekte të qëndrueshme në shëndetin mendor të njerëzve, veçanërisht te fëmijët.

Media sociale, siç janë Facebook ose Twitter, kanë prezantuar mënyra të reja sociale diskursive ku përdoruesit e tyre fare lehtë dhe thjeshtë, bëjnë shpërndarjen e paragjykimeve, lajmeve të rreme apo informacioneve të cilat mesazh të tyre kryesor kanë urrejtjen.

Përhapja e urrejtjes në median digjitale në Kosovë përbën një emergjencë sociale të jetës sonë reale me pasoja të mëdha individuale, politike dhe sociale. Një studim i fundit në internet zbuloi se shumica (më shumë se 67%) e raporteve të përdoruesëve të internetit kanë hasur fjalime ku është shpërfaqur urrejtje ose është komentuar urrejtja në kontestin e saj negativ. Një aspekt tjetër i rëndësishëm që favorizon një sjellje të tillë është niveli i anonimitetit që disa platforma të mediave sociale ju japin përdoruesëve.

Me qenë se gjuha e urrejtjes në internet është një term relativisht i ri, nuk ka dispozita ligjore që adresojnë ekskluzivisht këtë çështje, por kur diskutohet kjo temë, është e nevojshme ti kemi parasysh dy koncepte: e drejta për tu shprehur dhe ndalimi i diskriminimit. Në internet, identiteti i personit që përdor gjuhën e urrejtjes është më i mbrojtur se sa në botën reale, kështu që nuk është për t’u habitur që gjuha e urrejtjes në internet po merr përmasa të reja, duke u bërë më e përhapur, më mizore dhe më e dhunshme. E drejta për lirinë e shprehjes përjashton çdo formë të shprehjes që nxit urrejtje apo konflikt dhe mohon të drejtat e të tjerëve.

Gjuha e urrejtjes në internet në vendet me demokraci të zhvilluar digjitale, jo domosdoshmërisht, mund të jetë vepra penale, sepse ajo si e tillë i dëmton rëndë dhe në mënyrë të parikuperueshme njerëzit.