Ish-presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, është ngarkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) me akuzën për krime kundër njerëzimit.
80-vjeçari akuzohet se është penalisht përgjegjës për dhjetëra vrasje që gjoja kanë ndodhur si pjesë e të ashtuquajturës luftë ndaj drogës, gjatë së cilës mijëra dilerë e përdorues droge dhe njerëz të tjerë janë vrarë pa gjyq, raporton televizioni BBC.
Fletat e aktakuzës nga GjNP-ja, ku përfshihen disa redaktime, datojnë nga korriku, por u bënë publike vetëm të hënën.
Zëvendësprokurori i GjNP-së, Mame Mandiaye Niang, tha se Duterte është “tërthorazi bashkautor” në vrasje, për të cilat gjykata dyshon se janë kryer nga të tjerët, përfshirë policinë.
Pika e parë e aktakuzës kundër Dutertes ka të bëjë me dyshimin për përfshirjen e tij në vrasjen e 19 njerëzve në qytetin Davao mes viteve 2013 e 2016, kur në atë kohë ishte kryetar i këtij vendbanimi.
Dy pikat e tjera të aktakuzës lidhen me periudhën kur ai ka shërbyer si president i vendit, nga viti 2016 deri më 2022, kur e kishte nisur të ashtuquajturën luftë ndaj drogës.
Pika e dytë e aktakuzës lidhet me vrasjen e 14 “shënjestrave me vlerë të lartë” në mbarë vendin, ndërsa e treta me vrasjen dhe tentativën për vrasje të 45 njerëzve gjatë operacioneve për pastrimin e fshatrave.
Duterte nuk ka kërkuar falje për fushatën e tij me shtypje brutale kundër drogës, gjatë së cilës janë vrarë më shumë se 6.000 njerëz, edhe pse aktivistët besojnë se numri i vërtetë mund të jetë dhjetëra mijëra.