Ish-shefi i Krimeve në komisariatin numër 3, Erjon Dani dhe 6 personat e tjerë të arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme të premten, u lanë në burg pa afat nga Gjykata e Posaçme.
Gjyqtari Erion Bani, dëgjoi për afro tre orë prokurorin Adnan Xholi, që kërkoi vijimin e të njëjtave masa dhe avokatët e të hetuarve, që kërkuan hetim në masa më të lehta dhe vlerësoi se nuk ka kushte për ndryshimin e tyre.
SPAK thotë se nëpërmjet zbardhjes së komunikimeve të aplikacionit SKY ka arritur të dokumentojë shtatë episode të trafikut të drogës nga Amerika Latine drejt vendeve të BE në sasi që shkon nga 4,2 kg heroinë deri në 3 mijë e 585 kg kokainë.
Ish-shefi i krimeve Erjon Dani ndërkohë është kapur në biseda duke dhënë informacion të sistemit TIMS një prej anëtarëve të grupit kriminal.
Gjithashtu hetime treguan se në tre raste, nën ndikimin e vlerave monetare nga 4 mijë deri në 7 mijë euro është ushtruar ndikim tek funksionarë të drejtësisë, me qëllim lehtësimin e masës së sigurimit apo zbutjen e masës së dënimit.