Shfaqja / Gjithmonë ka një fajtor, por për të gjitha është fajtor Bill Gates - Gazeta Express
string(65) "gjithmone-ka-nje-fajtor-por-per-te-gjitha-eshte-fajtor-bill-gates"

Arte

Donjeta Abazi

12/04/2024 16:18

Shfaqja / Gjithmonë ka një fajtor, por për të gjitha është fajtor Bill Gates

Arte

Donjeta Abazi

12/04/2024 16:18

Të hënën , më 8 prill, në Teatrin Oda u dha premierë shfaqja ‘Fajin e ka Bill Gates’ me tekst dhe regji të Shpetim Selmanit

Nga Donjeta Abazi

Lexo Edhe:

PËR DRAMËN:

Një çift i ri bashkëshortor ballafaqohet me ankthin, paranojat dhe stresin që shkakton situata pandemike kudo në botë. Gruaja nga Shqipëria dhe Burri nga Kosova, përveç kësaj, japin edhe shembuj të stereotipave, paragjykimeve, keqkuptimeve mes shqiptarëve nga të dy anët e kufirit.

E zakonshmja përmes dy personazheve

Tek “Fajin e ka Bill Gates” u zgjodhën dy personazhe për ta përçuar gjithë dramën familjare në vetëm 40 minuta. Ngjarja e rëndomtë e një çifti i cili ishte izoluar si gjithë bota në kohën e pandemisë kaloi në shfaqje në momente komike deri tek debatet konfliktuoze. Personazhi i burrit (Dukagjin Podrimja) ironizon dykuptimësinë e intelektit dhe moskokëçarjes; në anën tjetër personazhi i gruas (Daniela Markaj) rrëshqet mes paranojës dhe shkatërrimit emocional të jetës mes katër mureve. Gjithçka që lëviz brenda mureve të shtëpisë domosdo do të përpiqet me idetë e gruas të cilat janë të çuditshme herë pas here dhe të paarsyeshme në shumicën e rasteve.

Ama që debatet tentojnë të jenë reale në shfaqje dhe të vijnë fort të pakompleksuara para publikut kjo nuk vihet në diskutim. Ideja e vetëm dy personazheve për ta përçuar një ditë të zakonshme të mbylljes totale në periudhën e pandemisë nuk krijon konfuzitet dhe audienca e ka më të lehtë përqendrimin.

Debatet martesore në skenë

Vazhdimisht ka pasur prodhime kinematografike që në thumb kanë debatet në çift dhe mënyra se si shtjellohen këto debate e përbëjnë ngjarjen e filmit. Tema në shfaqjen e Selmanit ishte se nuk kishte temë të veçantë ose kishte shumë tema përnjëherësh. Debatet e zhvilluara mes dy personazheve luhaten, nganjëherë janë më të ngadalta nganjëherë më intensive dhe në pah padoemos do të dalin dallimet kulturore të Kosovës dhe Shqipërisë të cilat qëllimshëm autori dëshiron që të jenë të vërejtura. E megjithatë në debatet sikur duket që mungon edhe më shumë origjinalitet se sa që vihet në pah në skenë. Meqë autori insiston në vendosjen në skenë të një shfaqjeje të tillë, minimaliste, me dy personazhe dhe me tematikë të zakonshëm, origjinaliteti i debateve do të duhej të shkonte edhe përtej asaj.

Rrymat e reja të teatrit

Tek ‘Fajin e ka Bill Gates’ shohim diçka më ndryshe se që rëndom shohim në teatrot tona ose së paku se çka kemi parë kohëve të fundit. Dy aktorët në rolet e tyre nuk do të synojnë teatrin klasik, nuk do të dalin nga karakteret e tyre për të krijuar të tjera shtesë, ngjarja nuk do të ketë luhatje tragjike, sinkronzimi i debateve dhe veprimeve do të jetë i njëtrajtshëm nga fillimi në fund dhe shfaqja do të mbyllet ashtu siç fillon, mes komikes dhe paranojës, ose paranojës komike. Përditshmëria e një çifti në martesë nuk është e njëjta për të gjithë, në të tilla diskutimesh kemi përplasje idesh, shijesh, pikëpamjesh dhe në fund të ditës në raste më të ngarkuara madje edhe ngrihet dilema kryesore mbi lumturinë dhe vetë idenë e martesës.

‘Fajin e ka Bill Gates’ është një dramë e shkurtër e bërë për një periudhë të pazakontë kohore e cila tenton të ketë veç autenticitet pa dashur të eksperimentojë me fiktiven.

***

Eurodram, rrjeti evropian për dramë në përkthim, ka shpallur përzgjedhjen e tij për vitin 2024 të shfaqjeve të rekomanduara për përkthim, në mesin e tyre edhe ‘Fajin e ka Bill Gates’.

***

Teksti dhe Regjia: Shpëtim Selmani

Luajnë: Daniela Markaj, Dukagjin Podrimaj

Muzika: Liburn Jupolli

Ndricimi: Yann Perregaux

/Gazeta Express