Nën pretendimin se është duke parandaluar një kërcënim të afërt nga ndërtimi i bombës atomike nga ana e Teheranit, të premten Izraeli ndërmori sulme ndaj disa objekteve bërthamore dhe ushtarake të Iranit.
Ky sulm ndodhi vetëm një ditë pasi Bordi i Guvernatorëve i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) e qortoi Iranin për herë të parë në 20 vjet për mosbashkëpunim me inspektorët. Në përgjigje, Irani shpalli ndërtimin e një vendi të tretë të pasurimit dhe zëvendësimin e centrifugave me modele më të avancuara.
Më poshtë sjellim një përmbledhje nga Associated Press, për disa prej objekteve kryesore bërthamore që janë në qendër të programit të Teheranit.
1. Natanz – Zemra e pasurimit të uraniumit
I ndodhur 220 km në juglindje të Teheranit, Natanz është objekti kryesor i pasurimit. Një pjesë e tij ndodhet nëntokë për mbrojtje nga sulmet ajrore. Ndërsa, dihet se aktualisht po ndërtohen struktura të reja brenda malit Kolang Gaz La, që ndodhet në afërsi.
Natanz ka qenë më parë objektiv i virusit “Stuxnet”- një sulm kibernetik i dyshuar nga SHBA dhe Izraeli – si dhe i dy akteve sabotazhi të tjera.
2. Fordo – Pasurim nën male
Ndodhet rreth 100 km në jugperëndim të Teheranit, Fordo është gjithashtu një objekt pasurimi, i fshehur nën një mal dhe ka mbrojtje ajrore. Ky object u zbulua nga inteligjenca perëndimore dhe u raportua zyrtarisht nga Irani në vitin 2009.
3. Bushehr – Termocentrali bërthamor civil
I vetmi termocentral civil bërthamor i Iranit ndodhet në Bushehr, në brigjet e Gjirit Persik. Ndërtimi filloi në vitet e 70-ta dhe u përfundua më vonë nga Rusia. Aktualisht në këtë vend janë duke u ndërtuar edhe dy reaktorë të tjerë në këtë vend. Karburanti nuk prodhohet në Iran, por importohet nga Rusia.
4. Arak – Reaktori me ujë të rëndë
Afro 250 km në jugperëndim të kryeqytetit, ky reaktor përdor ujë të rëndë, i cili gjeneron plutonium – një rrugë alternative për ndërtimin e armëve bërthamore. Sipas marrëveshjes së vitit 2015, Irani pranoi ta ridizajnonte për të ulur rrezikun e proliferimit.
5. Qendra bërthamore e Isfahanit
Është një kompleks kërkimor ku punojnë mijëra shkencëtarë dhe që përmban reaktorë kinezë dhe laboratorë të lidhur me programin bërthamor.
6. Reaktori Kërkimor i Teheranit
I vendosur në selinë e Organizatës Iraniane për Energjinë Atomike, ky reaktor iu dha Iranit nga SHBA në vitin 1967 në kuadër të programit “Atome për Paqe”. Dikur përdorte uranium të pasuruar në nivele të larta, por më vonë u përshtat për përdorim më të sigurt.