Lionel Messi me shumë gjasë po hyn në një nga kontratat e fundit të karrierës së tij, dhe Arabia Saudite shpreson që hera e tretë të jetë me fat për ta në përpjekjet për të nënshkruar me legjendën argjentinase.
Mesfushori i Inter Miamit pa dyshim e ka në mendje Kupën e Botës 2026 teksa bën zgjedhjet e tij të ardhshme.
Është raportuar javët e fundit se Arabia Saudite ka organizuar një takim mes presidentit të Al-Hilal dhe përfaqësuesve të Messit.
Ndërkohë, Inter Miami ka zhvilluar bisedime me Messin për zgjatjen e kontratës dhe këmbëngul se gjithçka është në rrugë të mbarë që Messi të shkojë në Kupën e Botës verën e ardhshme si banor i Floridës.
Gjithashtu, Inter Miami është në bisedime për të sjellë në skuadër njërin nga miqtë dhe bashkëlojtarët më të ngushtë të Messit nga kombëtarja e Argjentinës – një lëvizje që padyshim e ndihmon në vendimmarrje.
Arabia Saudite është shumë e vetëdijshme për efektin që do të kishte një përballje e fundit mes Messit dhe Cristiano Ronaldos në fund të karrierave të tyre – diçka që do ta rriste ndjeshëm profilin e kampionatit saudit.
Sipas “L’Équipe”, tashmë edhe Al-Ahli është futur në garë për firmën e Messit. Kjo është raportuar nga “Marca”, e cila shton se kampionët e Ligës së Kampionëve të Azisë janë në bisedime me kampin e tij për një transferim të mundshëm.
Arabia Saudite ka tentuar ta transferojë Messin edhe më parë – në të dy rastet kur ai u largua nga Barcelona dhe Paris Saint-Germain.
Ndërkohë, Messi është aktualisht ambasador i Bordit Saudit të Turizmit, me një kontratë afatgjatë deri në vitin 2030, që i sjell të ardhura të konsiderueshme.
Ka pasur disa sugjerime se Messi mund të konsiderojë një rikthim në Evropë, në një kampionat më konkurrues për t’u përgatitur më mirë mendërisht për Kupën e Botës.
Por në moshën 38-vjeçare, ai mund të ndjejë se është më e arsyeshme të kursejë këmbët për një shpërthim disa-javor, sesa të rikthehet në një nivel më të lartë e fizikisht më kërkues të futbollit./GazetaExpress/
NJOFTIM PËR TË GJITHË KREDITORËT DHE PRONARËT E NDËRMARRJEVE TË VENDOSURA NË PROCESIN E LIKUIDIMIT NGA AGJENCIA KOSOVARE E...