Juventusi, që njihet si klub për nënshkrimin me futbollistë që mbesin si të lirë, po synon përforcimin e skuadrës edhe me disa futbollistë të tjerë, që do të jenë të lirë në verën e vitit të ardhshëm.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, klubi nga Torino ka shprehur interesim për Marco Asensios (Real Madrid) dhe Christian Pulisicin (Chelsea).
Të dy futbollistëve do t’iu skadojnë kontratat me klubet e tyre më 30 qershor 2023.
Juventusi po përpiqet të kursejë para, pasi nga takimi i sotëm mes krerëve të klubit u konfirmua se duhet ulur shpenzimet.
Megjithatë, sipas mediumit italian, “Zonja e Vjetër” po monitoron edhe situatën e Antoine Griezmannit, i cili me Barcelonën ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2024.
Francezi është i huazuar te Atletico Madridi edhe për këtë sezon, teksa klubi nga kryeqyteti spanjoll nuk po i jep minuta lojtarit, pasi u raportua se në klauzolën e tij ekziston opsioni i detyrimit të blerjes, nëse ai kalon të paktën 45 minuta në fushë në 50% të ndeshjeve.
Nëse nuk ka një marrëveshje mes Barcelonës dhe Atleticos, nuk përjashtohet mundësia që Griezmann të shkëput kontratën me katalunasit, dhe të mbetet kështu lojtar i lirë në verën e vitit të ardhshëm.
Juventusi po monitoron situatën e tij dhe dy lojtarëve tjerë dhe pritet që në verë të tentojë nënshkrimin me ta. /Gazeta Express/