Qeveria gjermane më 28 maj u pajtua për planet për të vendosur kufizime ndaj bashkimeve familjare për disa migrantë dhe për të ashpërsuar rregullat për marrjen e shtetësisë.
Ashpërsimi i politikave të migracionit ishte premtimi kyç i kancelarit të ri konservator, Friedrich Merzh, gjatë fushatës për zgjedhjet e shkurtit dhe Qeveria e tij menjëherë ka vendosur kontrolle në kufijtë e Gjermanisë pasi ai mori detyrën e kancelarit më herët gjatë këtij muaji.
Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, u tha gazetarëve të mërkurën se masat e reja janë të rëndësishme për uljen e migrimit të parregullt.
Pezullimi i bashkimeve familjare do të zgjasë të paktën dy vjet dhe do të prekë personat që nuk kanë status të plotë të refugjatit.
Dobrindt tha se ky vendim do të ndihmojë në “lehtësimin” e punës së këshillave lokalë, që janë të caktuar për të ofruar ndihmë dhe integrim të personave të sapoardhur në këtë shtet.
Ai kujtoi se masa të ngjashme ishin në fuqi mes vitit 2016 dhe 2018, në kohën kur Evropa u përball me krizën e migrantëve.
Dobrindt gjithashtu njoftoi për heqjen e një reforme që ishte zbatuar nga qeveria paraprake, sipas së cilës, emigrantët mund të aplikonin për shtetësi pas tre vjetësh qëndrimi në Gjermani nëse mund të dëshmonin se kishin pasur “sukses në integrim”. Kërkesa për qëndrim tani do të rritet përsëri në pesë vjet.
Sipas ministrit Dobrindt, masat e reja do të ndihmojnë në uljen e “faktorëve tërheqës” për migrantët që ndryshe mund të përpiqen të hyjnë në Gjermani në mënyrë të parregullt.
Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) prej kohësh është kundër imigracionit, teksa figurat kryesore të partisë kërkojnë dëbime masive të të huajve.
Merz është akuzuar nga kritikët se po përpiqet të fitojë mbështetje nga AfD-ja me retorikën e tij, por ai insiston se marrja e masave për migracionin është mënyra e vetme për të kundërshtuar rritjen e popullaritetit të së djathtës ekstreme.
AfD-ja arriti rezultatin e saj më të mirë ndonjëherë, pak mbi 20 për qind, në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në shkurt.
Vendimet e të mërkurës pritet të miratohen nga Parlamenti para pushimeve të verës, që fillojnë në korrik.
Kontrollet më të ashpra në kufi, të prezantuara më herët këtë muaj, synojnë kthimin e të gjithë migrantëve të paligjshëm, përfshirë azilkërkuesit, dhe këto masa kanë irrituar disa nga fqinjët e Gjermanisë.
“Nuk është habi që këto vendime kanë nxitur kritika”, tha Dobrindt.
“Por, ato janë të nevojshme për të treguar qartë se kemi ndryshuar kursin sa i përket migracionit”. /REL